Pas problemeve të eksplodimit, Samsung anulon linjën Galaxy Note 7
Pajisjet e fundit ishin zëvendësime të pajisjeve fillestare Note 7 dhe ishin menduar të shpëtonin kompaninë nga problemi i eksplodimit të pajisjeve Note 7.
Megjithatë, edhe disa nga pajisjet zëvendësuese kanë marrë flakë, gjë që e ka shtyrë kompaninë të anulojë të gjithë linjën e produkteve.
Më herët, Samsung kishte deklaruar se pajisjet fillestare kanë marrë flakë për shkak të disa problemeve me baterinë. Mirëpo, edhe pas zëvendësimit të pajisjeve me modele të reja ku bateria ishte ndërruar poashtu, problemi ka mbetur i njejti.
Sipas një raporti të fundit nga New York Times, Samsung nuk e di shkakun e vërtetë të ndezjes në flakë të Note 7.
Kompania e ka patur të pamundur të zbulojë faktorin e problemit në laboratorët e tyre.
Edhepse Samsung kishte konstatuar se bateria ishte arsyeja e ndezjes në flakë të Note 7, edhe pas zëvendësimit të pajisjeve me prodhime të reja problemi ka mbetur i pandryshuar.
Mbetet të shihet në ditët e ardhshme nëse Samsung do të gjejë ndonjë sqarim të ri dhe në të njejtën kohë të dal me një deklaratë zyrtare për humbjet e shkaktuara nga Galaxy Note 7.