Pas presionit dorëzohet MASHTI, i largon nga përdorimi doracakët skandaloz për edukatën seksuale
Ministria e Arsimit është dorëzuar zyrtarisht.
Pas një debati disa-ditor, ministria e drejtuar nga Arbërie Nagavci, ka vendosur t’i largojë nga përdorimi doracakët skandaloz për edukatën seksuale.
Ky vendim vjen pas shumë reagimeve lidhur me përmbajtjen e këtyre doracakëve.
”Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton se ka nxjerrë vendim për rishikimin e doracakëve “Edukimi seksual dhe shëndeti riprodhues”, të miratuar në vitin 2020. Për procesin e rishikimit Ministria do të formojë një komisionin me ekspertët më të kualifikuar në vend. Të ftuar do të jenë të gjitha palët relevante, përfshirë Këshillin e Prindërve të Kosovës. Ky proces do të kryhet në mënyrë profesionale, etike e transparente, dhe me tërë përkushtimin që kërkon ligji dhe detyra.”, shkruan kjo ministri.
“Po ashtu, njoftojmë mësimdhënësit dhe prindërit se doracakët do të largohen nga përdorimi dhe nga faqja zyrtare e MASHTI-t deri në përfundim të rishikimit nga komisioni me ekspertët më të mirë në vend dhe të gjitha palët kompetente që i japin siguri e qartësi këtij procesi. MASHTI është institucioni i vetëm kompetent me autoritetin ligjor për këtë çështje. Në këtë linjë, çdo vendim jokompetent nga institucionet komunale nuk prodhon asnjë efekt juridik. Së bashku do të bëjmë më të mirën për fëmijët tanë”, thuhet në njoftim.