Pas një viti, Apeli merr vendim: Ish-ministrja Hoxha lirohet nga akuza

Pas një viti, Apeli merr vendim: Ish-ministrja Hoxha lirohet nga akuza

Gjykata e Apelit e Kosovës ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale ndaj të akuzuarve në rastin e ish-ministres Dhurata Hoxha për shkak të veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Dhurata Hoxha, Fitim Mustafa, Demush Shaha, Kushtrim Cukaj, dhe Nuhi Osmani, i ka liruar nga akuza, për veprat penale të ngarkuar me aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, raporton Paparaci.

“Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special, me aktgjykimin APS.nr.38/24, të datës 08.04.2024, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.31/21 i datës 28.04.2023, e ka vërtetuar, duke i liruar të akuzuarit nga akuza e PSRK”, thuhet në njoftim.

Në arsyetim të aktgjykimit gjykata e shkallës së dytë, ka vlerësuar se aktgjykimi i ankimuar nuk është përfshirë në shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 të KPP, nga fakti se dispozitivi është i qartë dhe në përputhje me arsyetimin e tij, në të cilin janë paraqitur arsyet e plota dhe të qarta të fakteve vendimtare dhe zgjidhjes së çështjeve juridike të kësaj çështje penale dhe se nuk përmban asnjë shkelje tjetër e cila kishte për të kushtëzuar anulimin e detyrueshëm të aktgjykimit të ankimuar.

“Gjykata e Apelit përkitazi me pretendimin ankimor të prokurorisë se: “gjykata e shkallës së parë gabimisht dhe në mënyrë jo të plotë ka vërtetuar gjendjen faktike dhe me këtë edhe shkeljen e ligjit penal ku gjykata nuk ka vlerësuar në mënyrë të duhur provat e paraqitura nga prokuroria, duke analizuar vetëm dy provat….”, të cilat pasqyrohen në këtë vendim, ashtu që kjo gjykatë ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë ka vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë gjendjen faktike.

Përkitazi me këtë ka dhënë arsyet të qarta dhe konkrete në aktgjykimin e ankimuar, duke gjetur me të drejtë se nga provat e administruara nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën janë akuzuar, andaj edhe kolegji penal i kësaj gjykate i ka liruar të njëjtit nga akuza e PSRK, për veprat penale për të cilat i ka akuzuar, pasi nuk është vërtetuar se në veprimet e tyre fitohen elementet e veprës penale e në veçanti elementi subjekti- dashja direkte”, thuhet tutje.

Në aktakuzë thuhet se Hoxha në cilësinë e ministres së MIE-së, kishe tejkaluar kompetencat e saj me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore personit tjetër, respektivisht operatorëve ekonomik “Majorelle PR & Events” dhe “Madison Strategies LLC”.

Siç thuhet në aktin akuzues, Hoxha më 11 maj 2018 kishte kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm i MIE-së, Demush Shasha nisjen e procedurave të prokurimit për aktivitetin e prokurimit “Shërbime të konsulencës për nevojat e MIE-së”, duke përcaktuar procedurën që duhej aplikuar dhe emrin e “Majorelle PR & Events” me të cilin duhej lidhur kontrata.

Sipas aktakuzës, e njëjta e bëri këtë edhe pse e kishte ditur se sipas ligjit këto nuk ishin në kompetencë të ministrit, me ç’rast ata i kanë mundësuar këtij operatori lidhjen e kontratës në vlerë 180 mijë euro dhe si rrjedhojë edhe përfitimin e dobisë pasurore në këtë vlerë.

Më pas, në aktakuzë thuhet se më 21 shkurt 2019, Hoxha kishte kërkuar nga UD i Sekretarit të Përgjithshëm të MIE-së, Kushtrim Cukaj vazhdimin e kontratës së lartcekur në bazë të procedurës së njëjtë, me këtë rast iaa ka mundësuar “Majorelle PR & Events” që të vazhdojë kontratën në vlerë prej 168 mijë euro dhe përfitimin e dobisë pasurore në këtë vlerë.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se Hoxha më 24 prill 2019, kishte kërkuar nga i akuzuari Cukaj që për aktivitetin e lartcekur të nis procedurat e prokurimit, duke përcaktuar procedurat që duhej aplikuar dhe emrin e operatorit ekonomik, “Madison Strategies LLC”, ku më 17 qershor 2019 është lidhur kontrata me këtë kompani në vlerë prej 152 mijë e 232 euro.

Mustafa akuzohet se në cilësinë e drejtorit të Divizionit të Prokurimit në MIE, i ishte drejtuar me kërkesë të akuzuarve Cakaj dhe Shasha, me anë të së cilës kishte kërkuar që kërkesat e parashtruara nga Hoxha për miratimin apo vazhdimin e këtyre kontratave të miratoheshin edhe pse i njëjti e dinte se janë në kundërshtim me ligjin.

Demush Shasha, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të MIE-së dhe Kushtrim Cukaj e Nuhi Osmani në cilësinë e UD-ve të kësaj pozite akuzohen nga PSRK-ja, se kishin aprovuar kërkesat e parashtruara nga i akuzuari Mustafa dhe kishin lejuar zbatimin e procedurës së prokurimit edhe pse e dinin se kërkesa e parashtruar ishte në kundërshtim me ligj.

Prandaj nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Mustafa, akuzoheshin se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së.

Kurse, Demush Shasha dhe Nuhi Osmani, akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414, paragrafi 2 të KPRK-së.

Shpërndaje në: