Pas një fundjave të tmerrshme me alkool: Ç’duhet të bëni për ta kapur shpejt ritmin e javës

Pas një fundjave të tmerrshme me alkool: Ç’duhet të bëni për ta kapur shpejt ritmin e javës

Kur i ke kaluar të 20-at e famshme, alkooli shijon ndryshe, por po aq ndryshe “rëndon” ditën tjetër. Në banak na duket si miku ynë më i mirë. Duhen vetëm ca gota për të ardhur në qejf. Ja dhe dy të tjera për t’u çliruar 100%. E dimë (ose jo) ç’ndodh më pas derisa vjen mëngjesi tjetër…Tani, si të rritur që jeni duhet të përballeni me pasojat e fundjavës.

Dhimbje koke, ndjesia se do të villni, marrje mendsh dhe dehidratim janë vetëm disa nga shenjat e përdorimit të alkoolit, mbi masën, që trupi e përballon. Fatkeqësisht nuk ekziston një kurë, për të kuruar hangover-in, por ka ca këshilla specifike që do t’ju ndihmonin në vijim. E para dhe ajo që s’duhet ta harooni kurrë është: “Pi aq sa mund të përballosh!”, ndërsa të tjerat i zbuloni në vijim.

– Mos pini me stomak bosh. Përpara se të dilni konsumoni një vakt të pasur me karbohidrate (pasta ose oriz). Konsumimi i ushqimit ngadalëson përthithjen e alkoolit nga trupi.

– Mos pini pije me ngjyrë të errët. Ato përmbajnë lëndë kimike natyrale, të cilat irritojnë enët e gjakut dhe indet në tru, duke përkeqësuar pasojat e pijes.

– Pini ujë dhe pije pa gaz, midis konsumit të pijeve alkoolike. Pijet me gaz përshpejtojnë thithjen e alkoolit nga organizmi.

– Pini ujë përpara se të bini për të fjetur. Gjithashtu mbani një gotë me ujë pranë shtratit, nëse zgjoheni gjatë natës.

Mëngjesin tjetër:

Nëse ndiheni tmerrësisht keq mëngjesin tjetër, kjo do të thotë që nuk i keni ndjekur këshillat e mësipërme. Edhe pse nuk ka kurë reale për hangover-in, mund të trajtohen simptomat.

– Vakti i mëngjesit duhet të jetë i bollshëm dhe duhet të përmbajë ushqime të pasura me yndyrna. Përdorni proshutë, salçiçe, vezë. Këto mund të jenë të rënda për sistemin tretës, por do t’ju ndihmojnë të rifitoni energji.

– Nëse keni nevojë të dëshpëruar për të marrë medikamente analgjezike, merrni brenda masës Paracetamol dhe Ibuprofen. Nuk këshillohet marrja e ilaçeve, pasi ato rëndojnë mëlçinë, e cila është detyruar të punojë më shumë se ç’duhet që më parë, nga konsumi i alkoolit.

– Kafeina do t’ju bëjë të ndiheni mirë vetëm për pak kohë, pasi shkakton dehidratim. Evitoni kafet dhe çajin, nëse nuk dëshironi që t’ju dhëmbë koka.

– Uji! Pini sa më shumë ujë edhe mëngjesin tjetër, pasi kështu mund të kuroni dehidratimin.

– Lëngje frutash të freskëta ndihmojnë në zëvendësimin e vitaminave dhe ju japin energji. Kombinimi banane dhe yogurt është perfekt.

– Mundohuni të flini sa më shumë gjumë. Trupi po përpiqet të rikuperojë dëmet e bëra nga alkooli, prandaj është më mirë të pushoni.

Burimi: BBC

Shpërndaje në: