Pas gati 14 muajve luftime, hyn në fuqi armëpushimi mes Izraelit e Hezbollahut
Armëpushimi mes Izraelit dhe Hezbollahut hyri në fuqi në orën 4 të mëngjesit të së mërkurës, duke u dhënë fund luftimeve që zgjatën gati 14 muaj në zonën kufitare mes Libanit e Izraelit.
Sipas marrëveshjes, që kabineti izraelit e miratoi të martën në mbrëmje, armëpushimi pritet të zgjasë 60 ditë si periudhë kalimtare, gjatë së cilës ushtria izraelite do t’i tërheqë forcat e veta nga jugu i Libanit, ndërsa ushtria libaneze do të dislokojë 5 mijë trupa në jug të Lumit Litani, përfshirë trupat në 33 pika përgjatë kufirit me Izraelin, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Forcat e Hezbollahut do të largohen nga pjesa jugore e Libanit, ndërsa infrastruktura ushtarake e grupit do të çmontohet.
Nuk është publikuar ndonjë kopje e marrëveshjes së armëpushimit para se ajo të hynte në fuqi.
Përderisa Hezbollahu ka thënë se e pranon propozimin për armëpushim, një zyrtar i lartë i grupit tha të martën se Hezbollahu ende duhej ta shihte marrëveshjen në formën e saj përfundimtare.
Sidoqoftë, armëpushimi dukej se po respektohej të mërkurën në mëngjes, ndërsa në Bejrut pati shenja feste, një ditë pasi Izraeli e kreu valën më intensive të sulmeve ajrore në kryeqytetin libanez që nga fillimi i luftimeve.