Pas fitores kundër Meksikës, Messi ka një paralajmërim për Poloninë
Argjentina shënoi fitore të rëndësishme në Kupën e Botës “Katar 2022”.
Të përzgjedhurit e Lionel Scalonit fituan kundër Meksikës, në ndeshjen e dytë në Grupin C.
Ndeshja e zhvilluar sonte në “Lusail Iconic Stadium” përfundoi me rezultatin 2:0.
Lionel Messi udhëhoqi “Albicelestet” drejt fitores, pasi shënoi golin e parë dhe asistoi te goli i dytë i shënuar Enzo Fernandez.
Shtatë herë fituesi i “Topit të Artë” përmes një postimi në rrjetet sociale, theksoi se “duhet të vazhdojnë të luftojnë të gjithë së bashku”.
“Ne duhej të fitonim sot dhe mund ta bënim. Është një tjetër finale që vjen të mërkurën dhe ne duhet të vazhdojmë të luftojmë të gjithë së bashku… Le të shkojmë Argjentina!!!”, shkroi 35-vjeçari.
Argjentina pas kësaj fitore ka 3 pikë dhe renditet e dyta në grup, me vetëm një pikë më pak se kundërshtari i radhës, Polonia, që pozicionohet e para.
Ndeshja mes këtyre dy kombëtareve do të zhvillohet më 30 nëntor, nga ora 20:00. /Gazeta Express/