Pas Australisë, Gjokoviqit i dalin telashe edhe me Francën
Novak Djokovicit do t’i ndalohet të luajë në grand slamin e ardhshëm French Open, siç qëndrojnë gjërat, pasi Ministria e Sportit e Francës njoftoi të hënën se personave të pavaksinuar pa përjashtim nuk do t’iu lejohet hyrja në vende publike.
Tenisti serb Djokovic, i cili nuk është i vaksinuar kundër Covid-19, u dëbua nga Australia të dielën një ditë para fillimit të turneut grand slam Australian Open, pasi gjykata e mbajti në fuqi vendimin për t’ia anuluar atij vizën.
Ligji i Francës për pasaportën e vaksinës, i miratuar nga parlamenti të dielën, kërkon që njerëzit të kenë certifikatë të vaksinimit për t’u futur në vende publike, siç janë restorantet, kafenetë, kinematë apo trenat.
“Rregulli është i thjeshtë. Ky ligj do të vlejë për të gjithë, qoftë për spektatorë apo profesionistë të sportit”, thuhet në njoftimin e ministrisë franceze.
“Sa i përket Ronald Garrosit, ai zhvillohet në maj. Gjendja mund të ndryshojë deri atëherë dhe ne shpresojmë se do të jetë më e favorshme. Prandaj, do ta shohim, por nuk do të ketë përjashtim për askënd”, thuhet tutje nga kjo ministri.
Djokovici, të cilit iu ndalua pjesëmarrja në Australian Open, nuk ka pranuar assesi ta marrë vaksinën kundër Covid-19 dhe u kritikua pasi mori pjesë në ngjarje publike edhe pse i infektuar me koronavirus gjatë muajit të kaluar.