Pas arrestit kardiak të pësuar në Euro 2020, Eriksen do të kthehet në mesjavë tek Inter

Christian Eriksen ishte një nga figurat më të diskutuara në Euro 2020, por për fat të keq jo për paraqitjet e tij të mira, por si pasojë e një sulmi kardiak.
Mesfushori i kombëtares së Danimarkës e niste shumë mirë aventurën në Euro, duke shkëlqyer ndaj Finlandës, por pak para fundit të pjesës së parë në atë ndeshje, ai pësoi një sulm kardiak, duke u obliguar të largohet nga fusha me ndihmën e mjekëve.
Megjithatë, gjithë kjo ngjarje tashmë i përket se kaluarës. Danezi do të kthehet në kampin e Inter gjatë mesjavës, ku pritet të takohet për herë të parë me trajnerin e ri të Inter, Inzaghi, transmeton periskopi.
Lojtari do të ketë mundësi të takohet edhe me shokët e skuadrës, para se t’iu nënshtrohet testeve mjekësore, të cilat do të tregojnë se si është situata e tij, pas ngjarjes prekëse.
Rezultatet nga testet mjekësore do të tregojnë nëse/kur defibrilatori të cilin ia vendosën në Kopenhagë mund t’i largohet, pasi largimi i kësaj pajisjeje është kusht i domosdoshëm, nëse ai dëshiron të luajë në Serie A.
Me skuadrën e Inter pritet të kthehen edhe Lautaro Martinez, Nicolo Barella e Alessandro Bastoni. /Periskopi/