Partitë minore: Paterica të PDK-së
Nga shumë shkaktarë që gjinden për ta shpjeguar ngeljen kaq të gjatë të PDK-së në pushtet përmenden vjedhja e votave, punësimet familjare e klienteliste në këmbim të votës, kërcënimet e shantazhet, joshja e rinisë së keqarsimuar e joidealiste etj. Disi si harrohet fakti se janë edhe partitë e vogla, përfshi edhe disa nga ato minoritare (boshnjakët e turqit gjithnjë) që gjithmonë ia kanë bërë duanë PDK-së. Në shikim të parë është në natyrën e çdo partie të vogël të kapet pas të fortit. Por në rastin tonë minorenët politik i gjen aq pa profil, aq meskin e kalkulantë saqë nuk është fare e vështirë që qysh në javën e parë të ekzistencës ta dish se liliput i kujt janë. Do e elaboroj këtu shembullin e disa prej tyre.
S’do mend se edhe sivjet PDK tashmë pas koalicionit të turpit me ata që “largoheshin me bisht ndër shalë” e me “Jakupovskin sheqerash” i ka pas vete edhe minorenët liliputë që i vrapojnë si qenë prapa bash sikur qentë e uritur tek sallahanja e Sitnica Vushtrrisë. I tillë është ta zëmë kryetari i Partisë Demokratike Turke, Mahir Yagcilar. Në kohën kur ekzistimin e komunitetit turk në Kosovë e kishte kontestuar ish PSSP-ja i dytë në vend Bernard Kushner, dalja në skenë e KDTP-së ishte një fitore jo pak e vogël për një komunitet që dita ditës po kërcënohej me asimilim.
Por ç’e do kur kjo parti dhe i tërë komuniteti turk u kap dhe nuk u lëshua për 17 vite rresht nga orbita oborrtareske e shërbëtoreske e Yagcilarit. Yagcilar diktonte dhe dikton punësimet e këtij komuniteti nëpër Ministri, dikton listat e studentëve që aplikojnë për studime në Turqi, dikton këshilltarët politik të përfaqësuesit turk në Komisionet Parlamentare e shumë diktate tjera. Për sahanlëpirjen e tij, flitet se do të shpërblehet me ambasadorllëk në Ankara. Odiseadë të ngjashme ka ndjekur edhe politikani boshnjak Numan Baliq. Megjithëse nuk e njoh eterin (politik) të këtij komuniteti, nga krejt ajo çfarë mbaj në mend kujtoj se Baliq ka qenë politikisht korrekt me krejt pushtetet e pasluftës.
Rasti tjetër është me Demokristianët. Këta paten penetruar aq mirë nëpër skuta e qoshe të LDK-së, saqë vdekja e Rugovës për ta ishte goxha dhembje. Engjëll Sedaj e kishte përkrahur Rugovën në përpjekjet e tij bogdanizuese si të ishte myrid i tij. E e as ky i fundit nuk iu kishte ngelur borxh: kishte vënë gurthemelin e Katedralës së Prishtinës kur tashmë nuk ndihej mire me shëndet (disa muaj para vdekjes). Demokristianët s’është që s’ishin intelegjentë e vizionarë. Ata e dinin se si komunitet përbëjnë pakicën ndaj asnjëherë nuk u ngutën, dhe agjitimin politik gjithnjë e kanë shitur si kombëtarist. Që nga fillimi i viteve 80. Madje një kohë gjatë të 90-tave, në krye të kësaj partie erdhi një prizrenas turkofon me mbiemër Jagxhiu, siç edhe Burhan Badivuku – edhe ky turkofon nga Vushtrria – hapi degën e kësaj partie në Vushtrri.
Por terreni “enverist” dhe joshkollar i PDK-së doli të jetë më i vështirë për ta sesa shtigjet më elekuente të intelektualizmit LDK-ist. Shto këtu që edhe verzioni vehabist i islamit po përhapej gjithnjë e më shumë, i binte që përplasja identitare në vend të ishte ante portas. Kulmi u arrit ateherë kur Erdogan e Thaçi nisen të thirren vëllëzer ndërsjellazi. Nga kjo demokristianët vetëmsa sa s’panë fiaskon e tyre të investimit dekadësh në alienim. Nisën të sillen përreth AAK-ja meqë Haradinaj ushqente prirje katoliciste, njejtë siç ushqen edhe Veseli. Në zgjedhjet e 11 qershorit paradoksalisht ndodhën në të njejtën listë me Partinë e Drejtësisë Ferid Aganit, me të cilët do të mund t’i bashkonte prirja më konzervatore, por asnjeherë përqasjet orientimore dhe identitare politike.
Tregimi i Partisë së Drejtësisë është poaq interesant. Me gjasë një ditë e bukur me diell i kishte bërë bashkë Ferid Aganin e Sylejman Çerkezin diku në një Restaurant në Prishtinën e pasluftës, për të vendosur themelimin PD-së së sotme. Programi i kësaj partie qe fondamentuar mi mendësinë e ish diplomatit shqiptar Abdi Baleta, i kthyer në një ngjizës të islamit shqiptar me nacionalizmin në periudhën e postmonizmit, dhe një masë edhe në rekomandimet e teologut prizrenas Nexhat Ibrahimi atëbotë i sapoliruar nga burgu në në Serbi. Agani, që është djali i vëllaut të Fehmi Aganit ateist i bindur dhe themelues i sociologjisë kosovare, dhe gjithsesi themeluesi mendësor i LDK-së, ishte kthyer në mysliman praktikues me gjasë gjatë të 90-tave.
Paslufte mundohej ta ndërtonte një profil prej islamisti të moderuar në një kontekst të vështirë social e politik. Nuk ia doli. Edhe nga fiaskoja përballë vehabizmit edhe nga pafuqia përballë elektoratit që tradicionalisht votonte LDK, PDK e AAK, e më së shumti nga grykësia personale. Madje Agani mori 6 herë më pak vota edhe se ORA, parti që votohej tradicionalisht nga provinienca “qytetare” jugosllave. Kjo e çoi Aganin vazhdimisht në kapi të PDK-së. Kjo po ndodh edhe në zgjedhjet e rradhës.
PDK-ja e AAK-ja u bënë kapixhik edhe për Lëvizjen për Bashkim një verzioni të përçarë e të përçudnuar të ish LKÇK-së. Të njohur se vijnë si atashim i fortë i shkollës së Zahir Pajazitit, si njerëz të besatuar se shqiptari që sheh se po bie në duar të serbëve e ka për obligim ta vret vetën – nëse ska mundësi tjera – e assesi të mos lejojë kapjen nga dora e serbit, LKÇK-ja paslufte here hynte e here bojkotonte zgjedhjet. Ajo mbajti një dozë idealizmi pothuajse deri me ngjitjen e PDK-së në pushtet. Madje Fatmir Humolli që sot është në AAK, në një intervistë në korrikun e 2004-tës për “Zërin Javor” Ramush Haradinajn e quante “budallë” dhe shprehej se “nuk e di se çka kisha ba me këta të Rambujesë”. Smajl Latifaj deri më 2005-2007 vetëmsa s’hedhte vrer mbi krejt krahun PDK e AAK. Valon Muratin nuk kishte googlegropus e yahoogropus që nuk e gjeje. Vetëmsa sa s’priste plumbat me dhëmbë nga idealizmi e patriotizmi fallco. Deri më 2005-2007 as VV nuk ua mbushte syrin. Por doli se divorci edhe nga ajo lidhje jetëshkurtër që paten me VV rridhte nga të qenit e tyre ndryshe. Donin jetë ndryshe njëmend. Si Ministra ama.
Yagcilar, Agani e Murati deri para 7-10 vitsh kishin botëkuptime të ndryshme sa me një tajlandez. Por më vonë ishin kolegë ministra në qeverinë e Hashimit.