Paraburgim për policin që dyshohet se shkaktoi aksidentin me tre të vdekur në fshati Çubrel

Paraburgim për policin që dyshohet se shkaktoi aksidentin me tre të vdekur në fshati Çubrel

E. R. i janë caktuar 30 ditë paraburgim për rastin e aksidentit në Çubrel ku mbetën të vdekur tre persona. E. R., dyshohet për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”.

Gjykata e Mitrovicës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për t`i caktuar 30 ditë paraburgim E. R., zyrtar policor, i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin me fatalitet në Çubrel ku mbetën të vdekur tre persona.

Ky aksident kishte ndodhur më 26.01.2025.

Prokuroria më 28.01.2025 kishte kërkuar masën e paraburgimit për E. R. por që mbrojtësi i të dyshuarit e kishte kundërshtuar atë duke kërkuar që t`i caktohet masa e arrestit shtëpiak me arysen e gjendjes shëndetësore dhe se vepra është kryer nga pakujdesia.

E. R. sipas njoftimit të gjykatës nuk ka mundur të deklarohet për shkak të gjendjes shëndetësore.

Gjyqtar i procedurës paraprake ishte Valon Hajdini.

Seanca dëgjimore lidhur me këtë rast është mbajtur në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, për shkak të trajtimit që ishte duke marrë i dyshuari për këtë aksident.

“Gjykata pasi ka vlerësuar pretendimet e palëve ka gjetur se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, është e bazuar pasi që gjykata ka gjetur se ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale të përshkruar si në kërkesën e prokurorisë”- thuhet në aktvendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicës- Dega Skenderaj.

Sipas njoftimit të Gjykatës dyshohet se aksidenti ka ndodhur kur i pandehuri nuk e ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes në rrugën Pejë – Mitrovicë në fshatin Çubrel.

Tutje në njoftim të Gjykatës thuhet shoferi i veturës kishte dalë në shiritin e kundërt të rrugës Pejë – Mitrovicë dhe si pasojë e ka goditur automjetin Golf i cili ka qenë duke lëvizur nga drejtimi Mitrovicë – Pejë.

“I pandehuri zyrtar policor, E. R. po drejtonte automjetin kombi të tipit VW, ngjyrë e bardhë ndërsa automjetin tjetër Golf IV ngjyrë hiri e kishte drejtuar tashmë i ndjeri A. G., i cili kishte vdekur në vendin e ngjarjes. Bazuar në hetime dyshohet se aksidenti ka ndodhur kur i pandehuri nuk e ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes në rrugën nacionale Pejë-Mitrovicë, në fshatin Çubrel, pasiqë ishte një kthesë në të djathë, ka dal në shiritin e kundërt të rrugës dhe ka goditur automjetin Golf, i cili ka qenë duke lëvizur nga drejtimi i kundër Mitrovicë-Pejë, dhe si pasojë e aksidentit tre pasagjerët kanë marrë lëndime të rënda trupore dhe më pas është konfirmuar nga mjeku kujdestar në QKMF-së në Skenderaj që shoferi i automjetit Golf IV A. G., ka vdekur. Ndërsa tre pasagjerët e tjerë janë dërguar në Spitalin Rajonal të Mitrovicës ku nga mjeku kujdestarë është konfirmuar vdekja e dy pasagjerëve tjera femra, ndërsa një fëmijë ka mbetur në tretman dhe dyshohet se ka lëndime të rënda trupore”- thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Shpërndaje në: