Para se të lyeni flokët, lexoni këtë artikull

Para se të lyeni flokët, lexoni këtë artikull

Sa e vështirë është t’i shpjegosh parukieres ngjyrën e flokëve që ke në mendje? Një tmerr! I tregon një foto, përpiqesh t’ja përshkruash në gjuhën tënde me shpresën se të kuptoi dhe në fund, rezultati s’është ai që prisje sepse aq s’mjafton. Ndoshta nuk është faji i saj, por yti sepse duhet të ishe treguar më e qartë për të shmangur keqkuptimet. Që ta dini për herën tjetër, ndiqni guidën më poshtë:

Ngjyra bazë: Toni primar dhe thellësia (e çelët apo e errët) e flokut tuaj.

Baza juaj mund të jetë natyrale ose e lyer, por sidoqoftë është pikënisja e çdo vendimi në lidhje me flokët tuaj.

Si ta përdorni në një fjali: Ngjyra ime bazë është kafe e errët.

Fije të çelëta dhe errëta:

Fijet janë seksione të flokut të lyera në ngjyrë tjetër nga baza. Të çelëtat janë dy deri në pesë nuanca më të hapura sesa baza, ndërsa të errëtat, dy deri në tre nuanca më të errëta se baza. Të dyja llojet ndihmojnë në krijimin e dimensionit.

Si ta përdorni në një fjali: Fijet do t’i japin flokut tim më shumë dimension.

Dimensioni: Tonet dytësore të flokut krijohen përmes kontrasteve të buta ose të forta mes ngjyrave.

Dimensioni s’do të thotë domosdoshmërisht çelje. Mund të jenë tone më të errëta nga baza ose pa shumë dallim prej saj për të krijuar varietet të dritës dhe hijes në flokë.

Si ta përdorni në një fjali: Floku i lyer njëtrajtshmërisht nuk ka dimension.

Toni: Ngjyrat që reflektohen në flokë

Është një term që përdoret për të përshkruar një ngjyrë specifike, si bjonde e artë, e kuqe bronz ose kafe e hirtë.Të gjithë tonet ndahen në dy kategori: të ngrohtë dhe të ftohtë. Tonet e ngrohtë përfshijnë bjonde e artë, bjonde luleshtrydhe, bronz, e zezë në kafe dhe mocha. Tonet e ftohta nga ana tjetër, bjonde e hirtë, e kuqe e fortë, gështenjë dhe e zezë obsidiane.

Si ta përdorni në një fjali: Floku im është bjond i hirtë dhe si rrjedhim ka tone të ftohta.

Kontrasti: Sa ndryshon floku juaj nga i errët në të çelët.

Termi kontrast i referohet diferenës nga ngjyra bazë deri tek fijet. Personat që kërkojnë një pamje më natyrale duhet të diskutojnë patjetër për kontrastin.

Si ta përdorni në një fjali: Preferoj fije me kontrast të ulët në krahasim me ngjyrën time bazë.

Në momentin që shpjegoni ç’ngjyrë doni, flisni dhe për personalitetin tuaj dhe rutinën tuaj të mirëmbajtjes së flokut. Nëse thjesht i lani dhe dilni nga shtëpia, kjo është shenjë që ndoshta një dekolorim total në bjonde platin nuk është zgjedhja e duhur për ju.

Ose në fund të fundit, një foto vlen sa një mijë fjalë. Sillni sa më shumë foto të ngjyrave tuaja të preferuara. Tregojini parukieres çfarë ju pëlqen dhe çfarë jo përmes fotove.

Shpërndaje në: