Paqartësi në tarifat e reja të rrymës, veriu i “paprekur” – ZRRE me deklarata kontradiktore
Një vendim, dy versione. Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka sjellë konfuzion në opinion me deklaratat kontradiktore për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Ndërsa qytetarët në pjesën tjetër të vendit përgatiten për tarifa 16.1% më të larta, mbetet e paqartë çfarë do të ndodhë me konsumatorët në veri të Kosovës.
Vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për rritjen e tarifave të energjisë elektrike ka rikthyer në qendër të vëmendjes një nga temat më të ndjeshme në Kosovë: trajtimi i pabarabartë i konsumatorëve dhe menaxhimi i sektorit të energjisë në katër komunat veriore.
ZRRE ka dhënë deklarata të ndryshme lidhur me vendimin për rritjen e tarifave të energjisë elektrike, duke shkaktuar konfuzion.
Fillimisht, ZRRE njoftoi se duke filluar nga 1 qershori 2025, qytetarët dhe bizneset në Kosovë do të përballen me një rritje të çmimit të energjisë elektrike prej 16.1 për qind.
Kjo rritje do të aplikohet për të gjitha kategoritë e konsumatorëve në zonat ku operon Furnizuesi me Shërbim Universal, që aktualisht është kompania KESCO.
Në një përgjigje për KosovaPress, ZRRE sqaroi se tarifat e reja nuk do të zbatohen në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – pasi këto zona furnizohen nga kompania serbe Elektrosever, e cila operon jashtë sistemit të Furnizuesit me Shërbim Universal.
Sipas ZRRE-së, marrëdhëniet tarifore në këtë pjesë janë të ndryshme dhe tarifat e aprovuara nuk i përfshijnë këto komuna.
“Tarifat e miratuara nga Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) zbatohen nga Furnizuesi me Shërbim Universal duke filluar nga data 01 qershor 2025 në gjithë territorin ku ai operon. Nëse pyetja ka të bëjë me katër komunat veriore të vendit të cilat aktualisht furnizohen nga Elektrosever, atëherë këto tarifa nuk zbatohen në atë pjesë të territorit, për shkak se Elektrosever operon jashtë sistemit të Furnizuesit me Shërbim Universal dhe marrëdhëniet tarifore janë të ndryshme”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga ZRRE.
Kjo deklaratë ngjalli reagime të menjëhershme, pasi për gati 25 vjet banorët në veri nuk kanë paguar rregullisht për rrymën e shpenzuar.
Edhe pse faturimi në këtë pjesë filloi në shkurt të vitit 2024, shkalla e pagesës nga konsumatorët në katër komunat veriore nuk kalon 20 për qind.
Ndërkohë, ZRRE gjatë ditës së sotme publikoi një njoftim tjetër, ku theksoi se tarifat e reja të transmetimit, operimit të sistemit dhe shpërndarjes janë të detyrueshme për të gjithë furnizuesit e energjisë elektrike në territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe Elektroseverin.
“Rritja e tarifave të energjisë elektrike dhe ndikimi te konsumatorët në veri Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) njofton opinionin publik se Bordi i ZRRE me datë 16.04.2025 ka aprovuar edhe Tarifat për Shfrytëzimin e Sistemit të Transmetimit, Operimit të Sistemit dhe Operimit të Tregut, si dhe Tarifat për Shfrytëzimin e Sistemit të Shpërndarjes, të cilat tarifa janë të detyrueshme për të gjithë Furnizuesit e energjisë elektrike në tërë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe Furnizuesin e energjisë elektrike Elektrosever”, thuhet në këtë njoftim.
Po ashtu, ZRRE theksoi se Elektrosever ka licencë nga ky institucion për të furnizuar konsumatorët në katër komunat veriore dhe se obligimet për përdorimin e rrjetit vlejnë njësoj për të gjithë operatorët.
Kjo situatë ka shtuar paqartësitë lidhur me zbatimin real të rritjes së çmimit të energjisë në veri.
Në deklaratat paraprake, ZRRE kishte bërë të ditur se çmimi prej 16.1 për qind më i lartë nuk do të aplikohej në veri, duke u bazuar në faktin që Elektrosever operon si furnizues komercial dhe jo si Furnizues me Shërbim Universal.
Megjithatë, në njoftimin e sotëm u theksua se tarifat për përdorimin e sistemit janë të obligueshme për të gjithë operatorët pa dallim.
Vendimi për rritjen e çmimit të energjisë ka shkaktuar reagime të forta nga qytetarët, bizneset dhe subjektet politike në Kosovë.
Në Prishtinë janë mbajtur disa protesta që kundërshtojnë shtrenjtimin, duke kërkuar tërheqjen e vendimit dhe trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët.
Për momentin mbetet e paqartë se si dhe kur do të implementohen tarifat e reja në veri, dhe si do të garantohet pagesa nga konsumatorët që tradicionalisht kanë refuzuar të paguajnë faturat e energjisë./Periskopi/



