Papa Françesku e emëron kritikun e Trump si Kryepeshkop të Uashingtonit
Papa Françesku ka emëruar kardinalin Robert McElroy, një mbrojtës i zëshëm i emigrantëve dhe kritik i administratës së parë të Donald Trump, si Kryepeshkopin e ardhshëm të Uashingtonit DC.
Sipas mediave të huaja, Kardinali McElroy, 70 vjeç, është një mbështetës i fortë i prioriteteve të Françeskut për refugjatët, mjedisin dhe mirëpritjen e katolikëve LGBTQ. Ai do të pasojë kardinalin Wilton Gregory, 77 vjeç, i cili ishte kryepeshkopi i parë afrikano-amerikan i Uashingtonit, DC.
Françesku emëroi gjithashtu të hënën udhëheqësen e parë femër të një departamenti të Vatikanit. Motra Simona Brambilla do të bëhet prefekte e zyrës së jetës fetare të Selisë së Shenjtë, e cila ka përgjegjësinë për murgeshat, murgjit dhe fretërit.
Në fillim të mandatit të parë të Trump, Peshkopi i atëhershëm McElroy mbajti një fjalim në Modesto, Kaliforni, duke iu referuar në mënyrë specifike Trumpit dhe duke u kërkuar katolikëve që të bëhen “përçarës” të agjendës kundër emigrantëve.
“Ne duhet të përçajmë ata që do të kërkonin të dërgonin trupa në rrugët tona për të dëbuar të padokumentuarit, për të hequr nënat dhe baballarët nga familjet e tyre. Ne duhet të pengojmë ata që i portretizojnë refugjatët si armiq dhe jo vëllezërit dhe motrat tona në nevojë të tmerrshme,” tha ai.