Papa bën thirrje për ndaljen e luftërave në mbarë botën

Papa bën thirrje për ndaljen e luftërave në mbarë botën

Papa Françesku bëri thirrje që “të ulen armët” në mbarë botën gjatë adresimit të tij për Krishtlindje. Ati i Shenjtë bëri thirrje për paqe në Lindjen e Mesme, Ukrainë dhe Sudan dhe dënoi “situatën shumë të rëndë” humanitare në Rripin e Gazës.

Ai përdori mesazhin tradicional drejtuar 1.4 miliard katolikëve në mbarë botën, duke kërkuar bisedime për paqe të drejtë në Ukrainë, teksa ky shtet u përball me sulme masive raketore dhe me dronë në Krishtlindje.

Papa po ashtu kërkoi armëpushim në Gazë dhe lirimin e pengjeve izraelite që po mbahen nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Mendoj për komunitetet e krishtera në Izrael dhe Palestinë, veçmas në Gazë, ku situata humanitare është jashtëzakonisht e rëndë”, u tha ai mijëra besimtarëve që u mblodhën para Bazilikës së Shën Pjetrit në Romë për adresimin e Papës.

“Uroj të ketë armëpushim, uroj që pengjet të lirohen dhe t’u jepet ndihma njerëzve që janë rraskapitur nga uria dhe lufta”.

Ai po ashtu bëri thirrje për paqe në Sudan, ku po zhvillohet një luftë brutale civile, që ka nisur 20 muaj më parë dhe që ka bërë që miliona persona të përballen me uri.

Në ditën e Krishtlindjes, Ukraina u përball me sulme masive ruse. Ukraina që dy vjet shënon Krishtlindjen më 25 dhjetor në vend më 7 janar, kur shumica e besimtarëve ortodoksë e shënojnë këtë festë.

Shpërndaje në: