Pamje: Këto janë fanellat e reja të Kosovës

Pamje: Këto janë fanellat e reja të Kosovës

Janë zbuluar fanellat e reja me të cilat Kosova do të luajë në kualifikime për Kampionatin Evropian 2024 dhe ato duken shumë të bukura.

Para dy jave, Federata e Futbollit e Kosovës nënshkroi marrëveshje sponsorizimi me kompaninë italiane “Errea”, duke i dhënë fund bashkëpunimit disavjeçar me kompaninë zvicerane “Fourteen”.

Kompania italiane e veshjeve dhe pajisjeve sportive është sponsori kryesor i Kombëtares së Kosovës tani dhe ajo i ka përgatitur tashmë fanellat e reja me të cilat Kosova do të paraqitet kundër Izraelit të shtunën më 25 mars në Tel Aviv, si dhe kundër Andorrës të martën më 28 mars në Prishtinë.

Fanella e parë me të cilat Kosova i luan ndeshjet si vendase si zakonisht është plotësisht e kaltër, me fyt dhe qaforen e mëngëve ngjyrë të zezë. Ndërsa qaforja e fundit të fanellës është ngjyrë ari.

Ajo natyrisht mban emblemën e Kosovës si dhe emrin e firmës “Errea”.

Fanella e dytë, me të cilat Kosova luan në udhëtim zakonisht, është plotësisht e bardhë, ndërsa fytin, qaforen e mëngëve dhe të fundit i ka ngjyrë të kaltër. Të gjitha tri fanellat po ashtu kanë disa harta të mëdha të Kosovës në brendi.

Futbollistët e Kombëtares, Milot Rashica dhe Mirlind Kryeziu, janë fotografuar me fanellat e reja të Kosovës.

Marrëveshja me Errean është trivjeçare, deri në vitin 2026.

FFK-ja nuk ka dhënë shumë hollësi rreth marrëveshjes. Nuk dihet nëse Errea do të ketë dyqan përfaqësues në Kosovë dhe sa do të jenë çmimet e fanellave të ekipit kombëtar të Kosovës.

Marrëveshja përfshinë furnizimin trevjeçar me të gjitha pajisjet sportive që i nevojiten ekipeve kombëtare të Kosovës, njoftoi FFK-ja.

Errea është sponsor edhe i kombëtareve të tjera, si Andorra, Bjellorusia, Qipro, Ishujt Faroe, Lihtenshtajni, Luksemburgu, Malta, San Marino e Kazakistani.

Ardhja e Erreas nënkupton se kompania zvicerane Fourteen nuk do të jetë më sponsor i Kosovës.

Fourteen ka qenë një zhgënjim i madh për shumë njerëz në Kosovë, pasi përveç pakënaqësive për cilësinë dhe dizajnin e fanellave, kjo kompani ka qenë shumë e paqasshme për tifozët dardanë.

Ajo nuk ka pasur dyqan zyrtar apo përfaqësues në Kosovë dhe çmimi i fanellave, të cilat mund të bliheshin vetëm online dhe porositë vononin me muaj të tërë, ka qenë tepër i lartë për kosovarët.

Një fanellë e Kosovës e prodhuar nga Fourteen ka kushtuar nga 80 deri në 100 euro.

Shpërndaje në: