Pakurrizorët e politikës

Pakurrizorët e politikës

Pa Marrëveshjen e Rambujesë, atje ku na çoi UÇK-ja nuk do të ndodhnin as Bombardimet 78 – ditëshe të NATO-s, bombardime që sollën çlirimin e Kosovës. Shqiptarët sot duhet të flasin të përqendruar si e përdorën krerët e politikës shqiptare lirinë për të filluar jetën e re! Dhe kjo duhet të bisedohet me emra dhe mbiemra konkretë.

Pse dhe kush ishin fajtorët që nuk lejuan as të kërkohet një bashkëbisedim i përfaqësuesve të UÇK-së e të LDK-së?! Por edhe sot ka barrikadime për të penguar të vërtetën!

Ndërsa Bisedimet e Vjenës, të udhëhequra nga Presidenti Marti Ahtisari, që përfunduan me një marrëveshje e cila prodhoi një Dokument Përfundimtar për Zgjidhjen e Statusit Politik të Kosovës, i njohur edhe si Dokumenti i Ahtisarit, mundësoi Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

Nuk ka asnjë dyshim, Marrëveshja e Vjenës ishte një kompromis i dhimbshëm,kompromis që mundësoi në bashkërendim me komunitetin ndërkombëtar Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Për mua Liria e Pavarësia ishin fitore të mëdha! Sesi u menaxhuan këto fitore të mëdha të kombit është çështje tjetër. Këtu ka shumë vend e hapësirë për t’u diskutuar! Por, për këtë nuk ka ambient as politik e as intelektual!

Fillimisht ishte menduar që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ta shfuqizonte Rezolutën 1244 dhe me një rezolutë të re të njihej Republika e Kosovës nga OKB-ja dhe Këshilli i Sigurimit. Por këtë e pengoi vetoja Ruse. Prandaj u zgjodh rruga e shpalljes në Kuvendin e Kosovës. Pa këtë rrugë dhe pa bashkërendimin e Kosovës me Komunitetin Ndërkombëtar nuk do të kishte as njohje ndërkombëtare. Pra, nuk do të na njihte askush!

Unë nuk e shoh problemin te ato marrëveshje ndërkombëtare, problemet janë krijuar pas zgjedhjeve të vitit 2010. Problemi është i krijuar gjatë dy legjislaturave të fundit dhe Bisedimet e Brukselit të udhëhequra nga HashimThaçi e Isa Mustafa. Kushdo që e kërkon prodhimin e kësaj gjendjeje në të cilën jemi futur, sidomos pas fillimit te bisedimeve politike Kosovë – Serbi, me ndërmjetësimin e Brukselit, si dhe ‘as zgjedhjeve të qershorit 2014, atëherë nuk e njeh ose nuk dëshiron ta njohë apo ta shohë drejt realitetin.

Nëse njerëzit (e autorizuar – mandatuar) të politikës nuk janë në gjendje të shohin se çka ndodhi dhe si u qeveris Kosova pas 17 shkurtit 2008, sidomos pas zgjedhjeve të vitit 2010, këta vërtet ose janë të padijshëm ose verbërisht ecin pas liderëve të padijshëm, si “Muça pas daive”. Kjo formë e qeverisjes i ka pasur dhe i ka kundërshtarët e vet. Por dikush as ka parë dje dhe nuk po sheh as tani dhe me gjasë nuk do të shohë as nesër.

Pse politikanët me nam, qofshin brenda institucioneve, qofshin jashtë institucioneve relevante nuk po i shohin si po merren vendimet në institucionin përfaqësues të qytetarëve të Kosovës? Pse nuk po i shohin njerëzit që po qeverisin me vendin, me njerëzit dhe me pasurinë kombëtare?

Disa po zihen në kazanin e kumbullave të kalbura pa të cilat nuk bëhet dot rakia, duke thonë sot e gjithë ditën se janë të shëndoshë! Në atë kazan, pas gjithë këtyre zhvillimeve, askush nuk mund të jetë i pastër. Provoni e dilni nga ai kazan, shikoni esëll! As dalja prej kazanit të tillë nuk i lë të pastër: dalin të dehur. Vetëm ata që kanë distancë nga ky kazan shohin realitetin në tërë dimensionin e tij tragjik..

Unë nuk kam asnjë problem me Konferencën e Rambujesë. Nuk kam asnjë problem as me Presidentin Ahtisari, bile e falënderoj shumë. Ai ndihmoi shumë që të korrigjohej një gabim politik që Evropa ia kishte bërë kombit tonë në fillim të shekullit XX. Problem janë njerëzit që kanë qeverisur dhe po qeverisin me vendin! Njerëzit që nuk e dinë se ç’është të qeverisurit e vendit me përgjegjësi. Këta njerëz nuk mund të dalin jashtë lëkurës së tyre, jashtë kapaciteteve të tyre politike e intelektuale më se modeste! Këta pakurrizorë të politikës ditore të Kosovës!

Ecja në të njëjtën rrugë, me të njëjtit njerëz, nuk mund të ketë destinacion tjetër! Ecja në këtë rrugë, të nisur e të mbarsur keq dita-ditës, është rrugë pa krye! Prandaj unë as jam as dua të jem aty! Rruga Thaçi & Mustafa ka hyrë në batak! Në atë rrugë mund të hysh, por si ajo fjala: hyn, por nuk mund dalësh!

Jam më se i bindur se këta njerëz nuk mund të sjellin asnjë ndryshim, veç thellimit të degradimit të përgjithshëm! Këtë, opinionit ia kam bërë të ditur qysh në prill të vitit 2011! Nuk thuhet kot:Tupani rreh për atë që ka vesh! Edhe më keq është kur njerëzit nuk duan të marrin vesh e bëhen se janë do farë kundërshtaresh “parimor”!

Po pakurrizorët tanë të politikës a thua kanë veshë?

Shpërndaje në: