Pak serbë marrin pjesë në debatin për hapjen e urës mbi Ibër

Pak serbë marrin pjesë në debatin për hapjen e urës mbi Ibër

Në Mitrovicë të Veriut ka nisur debati për hapjen e urës mbi lumin Ibër, që po kundërshtohet nga serbët lokalë dhe bashkësia ndërkombëtare.

Në debat po marrin pjesë përfaqësuesit e kësaj komune dhe ata të Qeverisë së Kosovës. Por, sipas gazetarëve të Radios Evropa e Lirë, pjesëmarrës në debat janë një numër i vogël i qytetarëve serbë dhe se shumica e të pranishmëve janë asamblistë komunalë, përfaqësues të OSBE-së dhe mediave.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se ura do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë, që do të kontribuoi në lehtësimin e kontakteve të qytetarëve në jug dhe veri.

“Tashmë është absurd vazhdimi i mbajtjes mbyllur të urës. Hapja nuk është dhe nuk do të jetë kundër askujt”, tha ai në nisje të debatit.

Ura mbi lumin Ibër ndan Mitrovicën e Jugut të banuar me shumicë shqiptare dhe Mitrovicën e Veriut, me shumicë serbe dhe Qeveria e Kosovës, pavarësisht kundërshtimit të bashkësisë ndërkombëtare, ka thënë se synon ta hapë atë për lëvizjen e automjeteve.

Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në korrik bëri të ditur synimin për hapjen e urës.
Megjithatë, vendet e QUINT-it – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Për hapjen e urës, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në kuadër të dialogut, por ura vazhdon të jetë e hapur vetëm për këmbësorë./REL

Shpërndaje në: