Pahor: Iu thashë miqve në Ballkanin Perëndimor, mos e nënvlerësoni mendësinë e re të Brukselit për zgjerim pas agresionit rus

Pahor: Iu thashë miqve në Ballkanin Perëndimor, mos e nënvlerësoni mendësinë e re të Brukselit për zgjerim pas agresionit rus

Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka thënë se agresioni i nisur i Rusisë kundër Ukrainës ka qenë një ndyrshim loje në mendësinë e Brukselit sa i përket zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.

Për këtë, ai tregoi se para se të niste lufta në Ukrainë derisa ai ka qenë në postin e presidentit iu kishte thënë miqve të tij në rajon që të mos e nënvlerësojnë ndryshimin sepse ai është real.

“Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës ishte një ndryshim loje për mendësinë në Bruksel në lidhje me zgjerimin e Ballkanit Perëndimor. Para agresionit, u kam thënë miqve të mi në rajon që të mos e nënvlerësojnë këtë ndryshim të mendësisë në lidhje me zgjerimin në Bruksel. Ky ndryshim është real dhe tani ka vullnet politik për të ecur përpara me zgjerimin e Ballkanit Perëndimor”.

Pahor, i cili kishte shprehur gatishmërinë e tij për të pasuar Miroslav Lajçakun në postin e ndërmjetësit të dialogut Kosovë-Serbi, tha se status quo-ja në këtë rajon s’mjafton për paqe të qëndrueshme.

“Status quo-ja për Ballkanin Perëndimor nuk është e mjaftueshme për paqe të qëndrueshme, siguri dhe përparim, por do të thotë punë e papërfunduar, veçanërisht nga pikëpamja e zgjerimit të BE-së. Por është mirë që tre nga gjashtë vendet janë tashmë anëtarë të NATO-s”.

Ai shtoi se pas agresionit ndaj Ukrainës, Brukseli tregon një vullnet më të madh politik për zgjerim.

“Shpresoj që kjo të reflektohet edhe në punën e Komisionit të ri Europian. Për sa i përket strategjisë së zgjerimit, unë jam për një kombinim të një qasjeje gjeopolitike dhe duke marrë parasysh progresin e bërë në përmbushjen e kushteve”.

Këto komente ai i bëri në forumin 2BS në Budvë të Malit të Zi ku në njërin prej paneleve folës ishte edhe Lajçak.

Pahor ka qenë president i Sllovenisë nga dhjetori i 2012-ës deri në dhjetor të 2022-ës. Më herët ai kishte mbajtur edhe postin e kryeministrit. /Express/

Shpërndaje në: