Paftyrësi, alibi, lakmi e pashpresë në Zullulland
Para ca ditësh Daut Haradinaj dha një deklaratë e cila në frymën e kohës do të mund të përkonte vetëm me ditët e para të pasluftës apo/ dhe me situatën e ditëve të marsit 2004, kur tha se “nëse Kosovën duan ta shohin pa asnjë serb, le ta ekstradojnë Ramushin në Serbi”. Deklaratë dhunënxitëse padyshim, pavarësisht në është politik apo jo ndalimi i Haradinajt, dhe pavarësisht nga barrierat që vendit po i’a shkakton Lista Serbe.
Opinion publik e gazetarucë, media vizive e OJQ me pak përjashtime shukatën. Shukatën sepse Haradinajt vegjetojnë autoritet në vend, madje autoritet që ndjell frikë. Autoritet familjeje e dhune. Jam i sigurt se ngjashëm me deklaratën e Dautit, do të kalojë edhe vandalizimi i djeshëm i një xhamie nga një serb në Novobërdë. Madje do të ketë edhe më pak bujë, meqë Kanun e Perandori Osmane; Jugosllavi e Serbi; KFOR e UNMIK; EULEX e Ambasada na kanë mësuar se i huaji duhet para vetës. U mor vesh, jo çdo i huaj, por i huaji I FORTË. “Kapu dajës me najnjo të fortë” më thoshte një familjar para disa muaji në qytet.
Të mos hyjë këtu tek harresa e pandjeshmëria jonë. Harresa e Astritit, harresa e rastit Makolli, harresa e skandalit që profesori Arben Hajrullahu ngriti në media mbi diplomimin brenda jave të një studenti hyqymetli, tek denimi skandaloz prej 12 vitesh i vrasësit të Zejnepe Berishës, e aq më pak tek numri krejt i vagët i protestuesve për rastin e saj (shpërfaqje kjo më simptomatike e pandjeshmërisë tonë). Besa as tek paproblematizimi i poezisë “Mu shterrshin sytë” poezi që me vite i atribuohet Agim Ramadanit e që me gjasë po del të jetë ndryshe. Ah po, posa u zgjova sot pashë edhe një gjë shpresëdhënëse: më shumë prokupim për referendumin në Turqi se sa për një 17 vjeçare që dje është gjetur e vdekur në rrethana të pasqaruara në Kamenicë, dhe për të cilën po pengohet obduksioni. Hiç Astritin, të gjitha këto në më pak se dhjetë ditë!
Tani, frika, autoriteti, ksenomania (dashja e tjetrit para vetes), në kuptimin e institucionalizuar të fjalës janë elemente të komuniteteve paramoderne. Sepse paramoderni njeh autoritetin para kërkimit të drejtësisë (apo në rastin më të keq kërkon vetë të jetë autoritet), preferon heshtjen e jo pyetësimin, si dhe e do të pronarin që e shtyp më shumë se veten (madje Hegeli do të thoshte se arrihet pika ku vetë pronari kuptimësohet nga ekzistenca e robit personal të tij). E do dhe e lakmon dhunën e tij. Këtu me gjasë ka vetëm një përjashtim: paramoderni di të ketë alibi për paftyrësitë e tij. Madje nuk i duhet farë shkollë, meqë di t’i ketë për mrekulli dredharake.
E them këtë me plot përgjegjësi meqë e di, e besoj e mund ta imagjinoni edhe ju, se cili do të ishte reagimi poqëse deklarata e Dautit, të dilte ta zëmë nga goja e Visar Ymerit, përkatësisht po të ishte objekt sulmi ndonjë kishë e jo një xhami. Alibitë me nacionalizmin e fashizmin, alibitë me radikalizmin islam, do e përshkonin muajin e ndoshta edhe vitin.
Se sa jemi të yshtur ndaj gjithçkaje që ka racionalizuar kapitalizmi, e më pas ky pushtet më mjafton një gjysmë dite e kaluar në provincën time. Pronari i Internet Caffes pranë picerisë ku drekoj nganjëherë, një 20-21 vjeçar i kthyer nga Gjermania, muhabet jetik konsideron seksin. Dy orë po të qëndrosh aty, katër orë po të qëndrosh aty, njejtë e ke me të. Nuk mund të kalojë as edhe një femër e vetme mbi 12 vjeç e që hamoshori ynë djaloshar të mos i thurrë rreshta libidinal e ngacmime. Por e dini ku qëndron paftyrësia më e madhe e tij? Sa po të hyjë në lokal vëllau i tij vehabist, vetëm pak vite më i madh, lëre që ky hesht, por për më shumë lokali kthehet përnjëherë në tribunë devotshmërie.
Lehtë nuk i’a le as pronari i picerisë. “Jon kapë për qufrave” më thoshte dje, duke aluduar në deputetët kundërshtues të demarkacionit. Thjesht pesë minuta të kaluar me mesatarin e këtij vendi të bëjnë të vajtosh për qëllimet, ambicjet dhe nivelin që ka kjo shoqëri. Nivel i bashkësisë primitive. Pse të presësh se mos i’a bajnë dertin lajmit se lënda e Filozofisë po heqet nga kurrikulumet? Hah!
Ngritja në nivel kërkim-drejtësie i vdekjeve të lirshme në këtë vend, të duket luks. Kjo sepse vdekja tek ne nuk çmohet. E ngase nuk çmohet, edhe shkon me çmim të lirë. E nga fakti se shkon me çmim të lirë, del se se s’na lidh empatia shoqërore a kuptimësimi ontologjik por interesi, bashkëpunimi në vend pune a profesion (vetë profesioni është copëzim), lidhjet dashurore/familjare, por që këto s’ndërtojnë shoqëri. Nga këto del se jeta këtu s’përbën cilësi. E si jocilësore, shoqëria s’gjen shpirtin e saj, por përjetohet si tërësi numerike banorësh, kurse vendi vetëm si gjeografi e ndërvarur politikisht.
Nuk ka respekt ndaj vdekjes kur nuk çmohet jeta. Nuk mund të ketë përjetim shteti, pa u ndërtuar qytetari. Nuk mund të vije kërkim-përgjegjësia, përderisa përjetimi i pushtetit në këtë vend konsiderohet jo obligueshmëri e ndërsjellë, por huqje personale dhe klanore e rastit në kapjen e privilegjit. E nga kjo konsideratë më pas investohet në përpëlitje qoftë për të mbijetuar qoftë për të kapur ndonjë kockë. Nuk ka ndjeshmëri e as sens ndaj kurrgjëje sepse nuk kemi pasur e nuk kemi kurrë art. Nëse rreshtat që po dalin të jenë jo të Agim Radamanit, por të Bedri Gjinajt nga vitet ’40, ateherë të më falin larpurlartisët dhe policia kulturore bulevardeske, por me gjasë në këtë 70 a 100 vjeçar art paskan bërë vetëm Gjinaj, dhe Jericho:
“Sa gjatë do të shkojë derisa tjetrit t’ia çmojmë jetën
a më tregoni ku ta gjej forcën sot të këndoj”