Padrejtësia shurdhuese e Hagës

Padrejtësia shurdhuese e Hagës

 Shkruan: Artan Behrami

 

Galeria publike e Gjykatës Speciale është vendi me ndotjen më të vogël akustike në mbarë Holandën!

Heshtje varri!

Qetësinë e prish vetëm një perde që lëshohet herë pas herë, për të mbuluar dhe rihapur shfaqjen me pantomimë që zhvillohet dy metra më poshtë!

Një seancë private e teatrit të vdekjes!

Dridhjet tektonike nga drama që zhvillohet poshtë nuk arrijnë të depërtojnë lart në Galerinë, e mbrojtur nga një xham i trash anti-zë! Në vend të publikut janë vendosur rreth 62 karrige të braktisura, sikur të ishin në ndonjë nga sallat e gjyqeve në Çernobil.

Brenda galerisë nuk lejohet zhurma, as lëvizjet, as ngritja në këmbë! Me një përjashtim! Kur në sallën poshtë hyn trupi gjykues i Gjykatës Speciale!

Nga lart nuk dëgjon asgjë, përveç frymëmarrjes tënde! Poshtë një sallë e madhe, me tavan të ndriçuar, derisa muret me ngjyrën më bajate në botë – gri! Një seancë përplot mimika dhe gjestikulacione!

Një vend ideal për ekspertë të gjuhës së grupit! Që nga fillimi i procesit kundër krerëve të UÇK-së në Hagë, pothuajse 80% e seancave gjyqësore janë mbajtur në seanca private, duke prapësuar edhe praktikat e së Drejtës Romake!

Procesi gjyqësor privat vazhdoi pa u trazuar nga askush! Pa u dëgjuar nga askush! Pa marrë shënim nga askush! Pa u monitoruar nga askush! Pa u kritikuar nga askush!

Heshtja e Galerisë është shpërndarë dhe ka kapluar si kumbim institucionet dhe një pjesë të madhe të shoqërisë sonë!

Karriget e galerisë kolektive asnjëherë nuk janë mbushur me publik, me sy dhe vesh për të shikuar dramën e padrejtësisë në Hagë!

Ushtria Çlirimtare e Kosovës është braktisur nga të gjithë ne! Atë e përdorim vetëm për të njollosur njëri-tjetrin, derisa para hunëve tona tentohet ndryshimi i historisë të luftës tonë!

Në ato 62 karriget e galerisë së Gjykatës Speciale ka vende të rezervuara për diplomatët e Ambasadës së Republikës së Kosovës!

Vende që fatkeqësisht herë pas herë i zënë diplomatë nga Ambasada e Serbisë, duke shikuar sesi plani i tyre për ndërrim të historisë po formësohet pa u penguar nga askush!

Një habitat ideal, ku deklaratat e Mefit dhe Dimalit janë më relevante, sesa shqetësimet e Bacit Jakup, që gjysmën e jetës e ka kaluar nëpër burgje!

Një lojë e lehtë për Serbinë kundër një shoqërie dhe Qeverie që kokulur numëron centët e avokatëve të UÇK-së, derisa Martinat dhe Nagipat vazhdojnë të humbasin shenjat e gishtërinjve nga numërimi i milionave të vjedhura/zhvatura/plaçkitura!

Një ambient perfekt për Serbinë, ku nga1.5 milionë shqiptarë të hipnotizuar nga popullzimi, shënime të detajuara për procesin gjyqësor në Hagë marrin vetëm Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi!

Në një shtet ku Qeveria mban fshehtë faturat zhvatëse të pioniereve komunistë, derisa tregon transparencë me shpenzimet e avokatëve të çlirimtarëve!

Pavarësisht kësaj, njëjtë si në fillim të viteve të 90-ta, Hashimi, Kadria, Rexha dhe Baca Jakup betejën për Kosovën janë duke e bërë vetë, të braktisur nga të gjithë!

Të paragjykuar, të kritikuar dhe të dekurajuar! Por, pastërtia e luftës çlirimtare ndriçon në fytyrat e tyre!

Ata janë të bindur se e vërteta do të çajë xhamin e shfaqjes me pantomima! Ajo do të depërtojë në Galerinë e Gjykatës Speciale dhe përmes saj nëpër shtëpitë e shqiptarëve!

Perdja e Galerisë u mbyll për sot!

Ajo pritet të hapet sërish nesër. Aty do ta gjeni Bacën Jakup, Presidentin Thaçi, Rexhën dhe Kadrinë, duke vazhduar betejën për pastërtinë e luftës sonë çlirimtare!

Do t’i gjeni aty duke pritur që të mbushën 62 karriget e boshatisura me shqiptarë!

Do t’i gjeni aty në pritje që luftës së tyre për drejtësi t’i bashkohemi të gjithë!

 

Autori është gazetar dhe ish-këshilltar i Presidentit, Hashim Thaçi

Shpërndaje në: