Padrejtësi tjetër për Kosovën – S’i lejohen simbolet shtetërore në Olimpiadën e Shahut
Sportistët kosovarë vazhdojnë të përballen me padrejtësi kur bëhet fjalë për përfaqësimin e vendit.
Në disa vende që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet, sportistëve të këtushëm ose u mohohet pjesëmarrja shkaku i vizës, ose lejohen të marrin pjesë, por me kushte dhe jo të barabartë me kolegët e tyre të vendeve të tjera.
Diçka e tillë do të ndodh edhe në Olimpiadën e Shahut, e cila do të mbahet në Indi.
Në edicionin e 44-t të kësaj gare, i cili do të mbahet për herë të parë në Indi do të marrin pjesë 187 shtete, një rekord absolut ky.
Por, ajo që bie në sy është se Kosovës i është bërë padrejtësi pasi qeveria indiane nuk e ka lejuar përdorimin e simboleve shtetërore të “Dardanëve” në territorin e saj.
Kështu, agjencia e lajmeve “PTI” me burime të saj brenda Federatës Indiane të Shahut (AICF) raporton se garuesit nga Kosova do të marrin pjesë nën flamurin e Federatës Ndërkombëtare të Shahut (FIDE).
Kosova e ka shpallur pavarësinë e saj në vitin 2008 por India refuzon ta pranojë atë si shtet.
Edhe në të kaluarën sportistët kosovarë kanë hasur në probleme kur garat janë mbajtur në Indi.
Boksieres Donjeta Sadiku madje i ishte mohuar pjesëmarrja në Kampionat Botëror pasi nuk i ishte dhënë viza.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar i ka paralajmëruar shtetet organizatore që të mos bëjnë diskriminime dhe dallime tek sportistët, duke i kërcënuar madje ato që do t’ua mohojë të drejtën e organizimit të ngjarjeve të rëndësishme sportive.
Por, këto shtete po vazhdojnë me avazin e vjetër…/Express/