Pacolli po bëhet gati për kryetar të Prishtinës? Ky është plani 12 pikësh
Gara për Prishtinën duket se do të jetë më e paparashikueshme që nga paslufta.
Asaj mund t’i hyjë edhe lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.
Gazeta Blic nga burime të saja ka marrë vesh se tashmë lideri i AKR-së është duke e përgatitur një plan konkret se si të zhvillohet Prishtina.
Madje, Pacolli, ditëve të fundit nuk është parë në Prishtinë.
Sipas burimeve të Gazetës Blic, ai me një ekip vendor dhe ndërkombëtar është tërhequr në një angazhim intensiv katër ditor për të studiuar parimet e tij kryesore për zhvillimin e Prishtinës.
Por a do të thotë kjo që Pacolli po bëhet gati për zgjedhjet lokale, me konkretisht që të kandidoj për kryetar të Prishtinës ende nuk dihet.
As nga AKR nuk kanë dashur që të flasin nëse Pacolli do të jetë kandidat për Prishtinën.
Në anën tjetër, vetëm Vetëvendosje është ajo që e ka përcaktuar zyrtarisht tashmë kandidatin, e ai do të jetë kreu aktual i Kryeqytetit, Shpend Ahmeti.
LDK e PDK ende nuk i kanë zyrtarizuar kandidatët për kryetar të Prishtinës.
Gazeta Blic në vazhdim ja u sjell planin 12 pikësh të Behgjet Pacollit për zhvillimin e Prishtinës:
Ky është plani i Pacollit për zhvillimin e kryeqytetit.
- Prishtina, kryeqytet evropian(tërheqja e e administratës qëndrore nga qyteti aktual dhe ndërtimi i qytetit të ri me financime jo buxhetore.
- Prishtina qytet ekologjik evropian: Ndërtimi i qytetit të ri të Prishtinës, nga Hajvalia ku do të ishte qendra e qytetit administrativ dhe vazhdimi i ndërtimit të qytetit elitar bregut të liqenit të Badovcit deri në Suteskë dhe perspektiva nga Suteska në Grashticë që nënkupton futjen e parkut të Gërmisë në mes si mushkria e kryeqytetit . Ky do të ishte parku nacional në mes të qytetit ndër më të mëdhenjët në Evropë.(investime jo buxhetore). Ndalimi i zhvillimit të qytetit në tokat pjellore dhe rezervat e thengjillit.
- Prishtina kryeqendër universitare : largimi i Universitetit publik nga qendra aktuale dhe ndërtimi i kampusit të madh universitar në Bardhosh. Investimi po ashtu jo buxhetor me financim nga të hyrat që vijnë nga kampusi i vjetër i universitetit.
- Prishtina kryeqendër kulturore : Ndërtimi i Teatrit të madh të Operas dhe Baletit në hapësirën e ish qendrës tregtare Gërmia, në qendrën aktuale të kryeqytetit. Teatri i tanishëm rikthehet në teatër alternativ për artistët e rinjë.
- Prishtina kryeqytet i tolerancës fetare : Ndërtimi i Qendrës kulture Islamike diku në hapësirat që do të liroheshin me shpërnguljen e kampusit universitar, përballë katedrales Nënë Tereza.
- Hapja e shtretërve të dy lumenjëve që do të furnizoheshin me ujë të natyrshëm edhe nga lumi i Llapit.
- Prishtina qytet historik : Qendra aktuale të konservohet dhe të rregullohet (me infrastrukturë) dhe tu jepet në dispozicion qytetarëve . Gjithashtu të ndërtohet tramvaji nga xhamia e llapit deri te QKUK dhe fillimi i menjëhershëm i ndërtimit të tunelit transitor Bardhosh – Xhamia e Llapit.
- Prishtina me fytyrë të re : Rregullimi i trotuareve, hyrjeve dhe fasadave në gjithë qytetin e vjetër.
- Prishtina, kryeqytet i rinisë : Ndërtimi i një stadiumi të ri dhe qendrave rekreative në Bardhosh, jo larg kampusit universitar.
- Prishtina, kryeqendër e inovacionit : Ndërtimi i qendrës së madhe inovative me infrastrukturë adekuate për zhvillimin e Start Up për ndërmarrësit e rinj.
- Projekte me financime të siguruara : Financimi i gjithë këtyre projekteve do të ishte pjesërisht nga donacionet ndërkombëtare, pjesërisht nga legalizimet dhe pjesërisht nga buxheti.
- Prishtina, kantieri më i madh i ndërtimit në vend : Prishtina brenda 8 viteve të ardhshme, me fillimin e implementimit të këtyre pikave do të shndërrohej në kantierin më të madh evropian të ndërtimit dhe punësimit masiv. Në kryeqytet do synohet realizimi i idesë së kancelares Angela Merkel për punësim 100 përqind brenda pak vitesh.