Pacolli: Me kërkesë të Kurtit e Osmanit, ia kërkova votat Radojçiqit për ta bërë Vjosën presidente
Behgjet Pacolli, kryetari i Aleancës për një Kosovë të Re (AKR), ka thënë se ka biseduar me Milan Radoiçiqin, ish-nënkryetarin e Listës Serbe – tash kryeterrorist për sulmin në Banjskë të Zveçanit.
Pacolli ka shtuar se kjo bisedë ishte kërkuar nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani. Pacolli përshkroi se si është thirrur në parlament rreth orës 12:30 pasmesnatës në ditën e votimit në Kuvend.
“Por, dëshpërimi është i madh. Kur e sheh që njeriu i Qeverisë apo Qeveria, flet në emër të Qeverisë. Dhe thotë se nuk është e vërtetë, ai gënjen. Nuk është natyra e ime të shkoj dhe ta denoncoj një gjë të tillë… unë nuk mund të gënjej e kam than ashtu siç ka qenë.
Ka qenë ora 00:30 pasmesnatës, ka qenë praktikisht në fillim e ditës kur është votuar. Dhe më kanë thirr që të shkoj në Parlament, kam shkuar, në zyrën private të kryetares së Parlamentit, aty më kanë pranuar. Nuk kam qenë vet, kam qenë më një person tjetër. Ai më duket se ka bërë edhe disa foto në atë mbrëmje.
Zoti Kurti ka qenë i ulur para meje, këmbë mbi këmbë. Në anën tjetër ka qenë zonja Osmani, e cila thotë se ne kemi ardhur deri këtu. Unë isha kthyer nga Turqia me kërkesën e tyre, me një avion privat, duke paguar koxha shumë para për të votuar për presidenten. Pasi më thanë se isha në Stamboll, se mungon vetëm vota ime. Dhe formimi i Qeverisë është në duart e mija, unë nuk kam mund mos me u kthyer. Dhe atë natë më kanë thënë e mungojnë edhe votat e tjera dhe më thonë zoti Pacolli, ju si gjithmonë gjeni një zgjidhje. Unë iu kam thënë se është vështirë, t’i drejtohem dikujt tjetër nga partitë tjera, pasi hasmëria ka qenë koxha e madhe. Por që mbetet vetëm Lisa Serbe, ajo ka qenë në parlament. Dhe ka pasur deputetët e vet”, ka thënë Pacolli në Debat Plus.