Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka kërkuar “hetim të paanshëm” nga institucionet e Maqedonisë së Veriut rreth incidentit ku u përfshi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ç’rast kjo e fundit qe subjekt i një kontrolli të rreptë të sigurisë në aeroport të Shkupit.
“Pashmangshëm, diskutuam edhe për incidentin e fundit në Aeroportin e Shkupit, me ç’rast përsëritëm shqetësimin e institucioneve tona rreth incidentit dhe nevojën e domosdoshme për një hetim të plotë dhe të paanshëm nga institucionet e Maqedonisë së Veriut për t’u siguruar që situata të tilla të mos përsëriten më kurrë”, ka shkruar Gërvalla.
Postimi i saj i plotë:
Përkushtimi reciprok në fuqizimin e marrëdhënieve fqinjësore, realizimi i projekteve infrastrukturore ndërshtetërore dhe bashkëpunimi i ngushtë në Procesin e Berlinit, në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon ishin temat kryesore të takimit që sot bashkë me Kryeministrin, Albin Kurti dhe kolegë ministra zhvilluam në Shkup me Kryeministrin e ri të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski dhe ministrat përkatës.
Pashmangshëm, diskutuam edhe për incidentin e fundit në Aeroportin e Shkupit, me ç’rast përsëritëm shqetësimin e institucioneve tona rreth incidentit dhe nevojën e domosdoshme për një hetim të plotë dhe të paanshëm nga institucionet e Maqedonisë së Veriut për t’u siguruar që situata të tilla të mos përsëriten më kurrë.
Republika e Kosovës dhe Maqedonia e Veriut do të punojnë ngushtë për avancimin e marrëdhënieve bilaterale, realizimin e projekteve që prekin qytetarët e të dy shteteve dhe ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Ballkan.