Osmani thumbon Kurtin: Kur bashkëpunon me ShBA-të, të ftojnë – aleancën ta ruajmë si sytë e ballit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë detaje për qëndrimin e saj në ShBA në kuadër të Samitit të NATO-së.
Ajo në një intervistë në TV Dukagjini, tha se trajtimi që iu bë Kosovës nga ShBA ishte tejet i veçantë dhe se sipas saj kjo u arrit falë bashkëpunimit të ngushtë të Presidencës me ta.
“Është e mundur kur punon afër me aleatin strategji dhe presidenca e Kosovës e ka bërë këtë, duke kuptuar që sukseset e Kosovës janë shumë afër të ndërlidhura me bashkëpunimin me ShBA. Asnjë sukses i Kosovës nuk ka ekzistuar pa pasur mbështetje nga ShBA. Ata janë aleati kryesor strategjik dhe i sigurisë”, tha ajo.
Ajo tutje tha se Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken i dha jehonë sukseseve të Kosovës, madje e veçoi atë nga gjitha shtetet pjesëmarrëse.
“Kur punon shumë afër, kur ata të shohin si partner, kur shohin që Kosova mund të jep kontribut, siç ishin dy aktivitetet e NATO-së. Atëherë ata jo që e ftojnë presidenten e Kosovës, por i japin jehonë suksesit të Kosovës, para gjitha shteteve pjesëmarrëse”, tha ajo.
“Blinken e veçoi vetëm shtetin e Kosovës dhe pjesëmarrjen e presidentes nga gjitha shtetet që ishin aty pjesëmarrës në hapjen e samitit të NATO-së, duke treguar për rolin udhëheqës që po e bëjmë ne dhe në veçanti presidenca e republikës në agjendën për gratë paqen dhe sigurinë… Kosova mund të jetë vend i vogël por mund të japë shembull të madh. Mund ta arrijmë këtë nëse e ruajmë aleancën me ShBA si sytë e ballit”, vijoi ajo.