Osmani takon Sarrazinin, kërkon mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësim në KiE e NATO
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të dërguarin e posaçëm të Republikës Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Në takim është biseduar për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend dhe rajon.
Në njoftimin për media thuhet se presidentja Osmani theksoi përkushtimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e Gjermanisë.
Ajo, në veçanti theksoi mbështetjen e plotë për Procesin e Berlinit dhe marrëveshjet e dala nga ky proces.
Në të njëjtën kohë, Presidentja Osmani shtroi nevojën për vazhdimin e mbështetjes gjermane për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës si dhe përmbushjen e aspiratave për anëtarësim në Këshillin e Evropës, NATO, BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare.