Osmani takon Radoniqin, flasin për problemet e KQZ-së: Të mbrohet procesi zgjedhor

Osmani takon Radoniqin, flasin për problemet e KQZ-së: Të mbrohet procesi zgjedhor

Presidentja Vjosa Osmani sot është takuar me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.

Presidenca tha se tema kryesore e këtij takimi ishte mbarëvajtja e procesit zgjedhor dhe se Osmani në këtë takim ka ripotencuar “rëndësinë e angazhimit të plotë për garantimin dhe ruajtjen e integritetit të këtij procesi”.

“Lidhur me problemet e evidentuara në platformën elektronike të raportimit të rezultateve, z. Radoniqi sqaroi se KQZ-ja, menjëherë ka ftuar institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë që të hetojnë problemin dhe se KQZ-ja është në pritje të raportit përfundimtar nga institucionet e sigurisë mbi çështjet e identifikuara që kanë ndikuar në funksionimin e kësaj platforme. Ky raport do të ndihmojë në vlerësimin dhe adresimin e çështjeve të evidentuara, duke siguruar transparencë të plotë mbi arsyet që kanë çuar te ky problem”, tha Presidenca.

Njëkohësisht, Osmani është njoftuar nga Radoniqi se KQZ-ja është duke punuar për të garantuar që çdo votë e dhënë për partitë politike të konfirmohet edhe gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve.

Sipas kreut të KQZ-së, ky proces po realizohet “me kujdes të shtuar për të siguruar përputhjen e plotë ndërmjet votave të regjistruara në sistem dhe atyre që ndodhen në kutitë e votimit”.

Që nga dita e zgjedhjeve, Presidenca tha se Osmani ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me kryetarin Radoniqi si dhe institucionet përkatëse të sigurisë dhe ka kërkuar që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur procesin zgjedhor dhe për të garantuar respektimin e plotë të vullnetit të qytetarëve duke rikonfirmuar çdo votë edhe nëpërmjet numërimit manual, përveç atij të bërë në sistemin elektronik.

“Në takim, Presidentja Osmani shtroi nevojën e koordinimit të mekanizmave institucional për ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të vetë votës së qytetarëve”.

Shpërndaje në: