Osmani takon kryeministrin e ri të Holandës
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të samitit të katërt të Komunitetit Politik Evropian (EPC), ka takuar kryeministrin e ri të Holandës, Dick Schoof.
Osmani ka njoftuar se me kryeministrin holandez kanë diskuar për forcimin e partneritetit midis dy shteteve.
“Diskutim përmbajtësor me Kryeministrin e ri të Holandës, Dick Schoof, për forcimin e partneritetit midis Kosovës dhe Holandës, si dhe për rëndësinë e avancimit të rrugës së Kosovës drejt institucioneve euroatlantike dhe anëtarësimit në organizata tjera ndërkombëtare”, ka thënë presidentja Osmani.
Osmani, ka takuar presidentin e Francës, Emmanuel Macron, me të cilin ka diskutuar për integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike në koordinim me aleatët.
“Dje, me Presidentin Macron, diskutuam mbi rëndësinë e ecjes përpara drejt integrimit të plotë të Kosovës në strukturat euroatlantike, në partneritet me aleatët tanë dhe në dobi të të gjithë qytetarëve tanë, pa dallim”, ka shkruar në Facebook Osmani.
Presidentja e cila po qëndron në Mbretërinë e Bashkuar, ku po e përfaqëson Kosovën në samitin e katërt të Komunitetit Politik Evropian (EPC), është takuar edhe me kryeministrin e Belgjikës, Alexander de Croo.
Në një postim në Facebook, presidentja Osmani e ka falënderuar kryeministrin Alexander de Croo për mbështetjen e tij të vazhdueshme për Kosovën.
Ajo ka bërë të ditur se me kryeministrin belg ka diskutuar për rëndësinë e integrimit euroatlantik të Kosovës si dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.