Osmani takohet me kryetarin e KQZ’së, flasin për përgatitjet dhe konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim kryetarin e KQZ’së, Kreshnik Radoniqi.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.”
Presidenca njofton se në takim është diskutuar për përgatitjet dhe konsultimet që po bëhen për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta parlamentare.
Radoniqi e ka njoftuar Osmanin për çështjet që duhet të merren parasysh gjatë vlerësimeve për caktimin e datës së zgjedhjeve.
“Kryesuesi i KQZ-së, e njoftoi Presidenten Osmani lidhur me çështjet që sipas KQZ-së është me rëndësi të merren parasysh gjatë vlerësimeve rreth caktimit të datës së zgjedhjeve. Poashtu, në këtë takim u diskutua edhe për votimin nga mërgata dhe hapat që duhet të ndërmerren në mënyrë që kjo e drejtë të realizohet siç është përcaktuar në ligjin e ri”, thuhet në njoftim.
Osmani ka thënë se është e rëndësishme që në ditën e zgjedhjeve të bëhen organizimet e nevojshme për qasje të lehtë për personat me nevoja të veçanta.
“Presidentja Osmani, ndërkaq shprehu besimin se KQZ-ja, si institucion përgjegjës për administrimin e zgjedhjeve, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura dhe brenda afateve që procesi zgjedhor të realizohet duke respektuar të drejtat e qytetarëve si dhe standardet më të larta demokratike.”
Presidentja Osmani më 31 korrik priti në takim krerët e partive politike në vend për të diskutuar rreth datës së zgjedhjeve. Aty s’mori pjesë Kurti. Pas takimit Osmani tha se janë katër data për mbajtjen e zgjedhjeve- 26 janari, 2 shkurti, 9 shkurti dhe 16 shkurti.