Osmani takohet me ambasadorin e Suedisë, flasin për zhvillimet e sigurisë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin e Suedisë, Jonas Westerlund, me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë zhvillimet e sigurisë, si dhe raportet Kosovë-Suedi.
Në komunikatë bëhet e ditur se në takim, presidentja dhe ambasadori Westerlund diskutuan edhe për integrimin euroatlantik të Kosovës, me ç’rast Osmani theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Suedisë në këtë drejtim. Duke qenë se Kosova është 100 për qind e linjëzuar me politikat e BE-së si dhe duke marrë parasysh reformat e kryera në vend, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit, presidentja potencoi domosdoshmërinë e vlerësimit të shteteve aspiruese, përfshirë Kosovën, bazuar në merita.
Në takim poashtu u diskutua edhe për përpjekjet e Kosovës për avancimin e prezencës së saj ndërkombëtare si dhe për hapat tutje sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Tutje bëhet e ditur se presidentja Osmani dhe ambasadori Westerlund diskutuan edhe për intensifikimin e bashkëpunimit bilateral midis Kosovës dhe Suedisë, përfshirë bashkëpunimin tregtar, investimet potenciale suedeze, bashkëpunimin në fushën e teknologjisë informative si dhe në fusha të tjera të interesit të dyanshëm.