Osmani: Suksesi dhe qëndrueshmëria e tyre varen prej bashkëpunimit me aleatët

Osmani: Suksesi dhe qëndrueshmëria e tyre varen prej bashkëpunimit me aleatët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka thënë të shtunën Radios Evropa e Lirë se veprimet për shtirje të sovranitetit në Kosovë, janë veprime legjitime dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por që suksesi dhe qëndrueshmëria e tyre varen prej bashkëpunimit me aleatët.

Ajo i ka bërë këto deklarata, pasi është pyetur rreth reagimeve të Perëndimit më 30 gusht, pas mbylljes së pesë objekteve paralele në veri të Kosovës. Sipas Qeverisë së Kosovës, këto institucione kanë funksionuar nën udhëheqjen e Serbisë dhe kanë cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e vendit.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të ndalë, siç ka thënë ai, “veprimet e pakoordinuara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”.

Për aksionin në veri kanë reaguaredhe ambasadorët e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe.

“Situata në veri të Kosovës është shumë sfiduese, sepse përkundur Marrëveshjes së vitit 2013, e cila kërkon që të gjitha strukturat ilegale të shpërbëhen, ato janë forcuar nga [presidenti serb, Aleksandar] Vuçiq në këtë dekadë, dhe janë shndërruar në grupe mafioze, të cilat edhe sfidojnë sigurinë, edhe sovranitetin, por edhe vetë jetën e qytetarëve që jetojnë në veriun e veriut”, ka thënë Osmani në Pragë, ku po merr pjesë në forumin e sigurisë Globsec.

Ajo ka bërë thirrje që të mos lejohet “asnjë forcë e errët, asnjë shtet që ka qëllime dashakëqija ndaj Kosovës dhe rajonit, të krijojë ndarje mes neve dhe aleatëve”.

“Kjo ndarje, në afatgjatë, Kosovës i kushton shumë. Kosova ka mundësi që të jetë e suksesshme në shtirje të sovranitetit, bashkë me aleatët. Kërkohet më shumë komunikim, më shumë konsultim, më shumë koordinim”.

E pyetur nëse zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë shefin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) e kanë përmendur nëpër takimet e ditëve të fundit përkeqësimin e marrëdhënieve me Qeverinë e Kosovës, ajo ka thënë se SHBA-ja ka qenë e qartë në çdo nivel se raportet me popullin e Kosovës, me Kosovën si shtet, i ka shumë të fuqishme.

“Ne duhet të gjejmë mënyra për ta forcuar partneritetin, ne duhet të gjejmë mënyra që debati në Kosovë të mos jetë asnjëherë se ‘a jemi prishur me Amerikën apo jo?’, por të jetë sa jemi duke i forcuar ato marrëdhënie, sepse është vetëm në interes të Kosovës”.

Ajo ka thënë se do të takohet në kuadër të Globsec-ut me zyrtarë amerikanë për t’i diskutuar të gjitha sfidat aktuale.

Osmani nuk ka dashur të komentojë pse të shtunën, më 31 gusht, është vërejtur një prani e shtuar e forcave të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR mbi urën kryesore mbi lumin Ibër.

Presidentja ka thënë se për këtë gjë duhet pyetur KFOR-i, por as ky institucion nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë.

Një pjesëtar i forcave italiane të KFOR-it në urën i Ibrit i ka thënë më herët për një korrespodente të REL-it se “nuk pritet ndonjë gjë e veçantë” dhe se pjesëtarët aty gjenden aty “për shkak të operacioneve rutinore”.

Shpërndaje në: