Osmani pritet nga Zelensky në Zvicër: Jemi këtu për të dhënë mbështetje për lirinë e Ukrainës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka publikuar pamje nga pritja që iu bë në Samitin e Paqes për Ukrainën nga Presidentja e Zvicrës, Viola Amherd dhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.
Përmes një postimi në rrjetin social, X, Osmani potencoi se në Samitin e Paqes janë të përkushtuar për të mbështetur lirinë e Ukrainës.
“Në Zvicër, me Presidenten zvicerane, Viola Amherd, presidentin ukrainas, Zelensky dhe liderë të tjerë nga e gjithë bota. Në jemi këtu për të përkushtuar mbështetjen tonë për lirinë e Ukrainës”, shkroi Osmani në X.
Samiti për paqe për Ukrainën, mbahet në Burgenstok të Zvicrës, ku po merr pjesë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Kjo e fundit përmes një video në Facebook ndër të tjera ka treguar se çka do të diskutohet në Samit.
“Përgjatë samitit që do të fillojë me seancën plenare shumë shpejt, ne do të diskutojmë për tri dimensione kryesore. E para, që do të udhëhiqet nga shtetet më të fuqishme është siguria nukleare”.
“Kurse, i treti është dimensioni human, ku do të kontribuojmë më së shumti sepse kemi ndërtuar një sistem pas luftës që shpesh merret edhe si model se si ndërtohet një demokraci e qëndrueshme edhe pas shkatërrimeve që i shkakton lufta”, tha Osmani.
Kurse në njoftimin e Presidencës thuhet se Osmani do ta riafirmojë përkushtimin e Republikës së Kosovës për ta vazhduar mbështetjen për Ukrainën deri në fitore, si dhe do të flasë për rëndësinë e mbështetjes gjithëpërfshirëse globale për t’u arritur paqe afatgjate dhe e qëndrueshme.
Samiti i nivelit të lartë, i cili do t’i mbledhë liderët botëror për të diskutuar rëndësinë dhe mënyrat e vazhdimit të mbështetjes për Ukrainën, do të përqendrohet edhe në rëndësinë kritike të arritjes së paqes në Ukrainë.