Osmani prej takimit me ambasadorin britanik i çon ‘selam’ Kurtit: Hapja e Urës duhet të bëhet në koordinim me partnerët tanë të sigurisë
Presidentja, Vjosa Osmani ka pritur sot ambasadorin britanik, Jonathan Hargreaves.
Gjatë këtij takimi, biseduan për hapjen e Urës së Ibrit.
Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani ka thënë se hapja e urës është në interes të qytetarëve, dhe se duhet të bëhet në koordinim më partnerët e vendit.
“Në takim, Presidentja Osmani ka ripotencuar qëndrimin e saj se hapja e urës, si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie. Në këtë frymë, Presidentja Osmani ka ritheksuar se plani i zbatimit për hapjen e urës duhet të bëhet në konsultim e koordinim midis institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë.
Thellimi i vazhdueshëm i raporteve bilaterale dhe bashkëpunimit midis Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar ishin po ashtu pjesë e diskutimeve në takimin e sotëm”, thuhet në njoftimin e presidencës.