Osmani në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor, Borrell publikon fotografitë: Duhet të bashkëpunojmë edhe më ngushtë
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell ka njoftuar për takimin me liderët e Ballkanit Perëndimor në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.
Atje po qëndron edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, por në këtë takim vendi u përfaqësua nga presidentja Vjosa Osmani.
“Ishte kënaqësi t’i prisja liderët e Ballkanit Perëndimor për takimin tonë tradicional në margjinat e UNGA79”, shkroi Borrell në një postim në Facebook.
Ai tha se “rritja e ndikimit keqdashës që minon përpjekjet për reforma në rajon tregon se ne duhet të bashkëpunojmë edhe më ngushtë”.
“Së bashku, ne do ta krijojmë një BE më të sigurt dhe më të begatë”, shkroi Borrell.
It was a pleasure to host the Western Balkan leaders for our traditional meeting on sidelines of #UNGA79
Rising malign influence undermining reform efforts in the region shows that we need to collaborate even more closely
Together, we will forge a more secure & prosperous EU. https://t.co/syQS6fpmbn pic.twitter.com/SUFwHfhmNY
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) September 25, 2024
BE-ja, në komunikatë të lëshuar paraprakisht, tha se ky takim ishte “një rast për shkëmbimin e pikëpamjeve për çështjet me interes të përbashkët, përtej zgjerimit, për çështjet e sigurisë dhe stabilitetit global”.
“Diskutimi u përqëndrua në sfidat e ngutshme gjeopolitike, veçanërisht ndikimin e dëmshëm të agresionit rus kundër Ukrainës dhe përpjekjet e Kinës për të zgjeruar ndikimin e saj ekonomik. Përfaqësuesi i Lartë Borrell dhe liderët e Ballkanit Perëndimor diskutuan rëndësinë e forcimit të qëndrueshmërisë, duke theksuar nevojën për harmonizim strategjik me Bashkimin Europian për ta ruajtur stabilitetin rajonal”, thuhet në komunikatë.
Borrell citohet të ketë thënë se “Ballkani Perëndimor është një pjesë integrale e së ardhmes së Europës dhe se “anëtarësimi në BE është i arritshëm, me kusht që reformat kyçe të ndiqen me fokus të ri”.
“Takimi ishte një mundësi për ta kujtuar nevojën për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ekzistuese dypalëshe. Përfaqësuesi i Lartë Borrell nënvizoi rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë të arritura përmes dialogut dhe kompromisit si hapa thelbësorë drejt integrimit në BE. Udhëheqësit duhet të marrin vendime të guximshme dhe strategjike për t’i çuar përpara aspiratat e tyre europiane”, thuhet në komunikatë.
Përveç Osmanit, në takim ishin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryetari i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës Denis Beqiroviq, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova dhe zëvendëskryeministri për Çështjet e Jashtme dhe Europiane i Mali i Zi, Filip Ivanoviq.