Osmani: Mesazhi që po marrim nga BE është se sa më shumë pozicionohesh me Rusinë, Iranin e Kinën, aq më shumë përparon
Presidentja Vjosa Osmani ka kritikuar Bashkimin Evropian që nuk po ia heq masat Kosovës, derisa ka ngritur zërin edhe ndaj qasjes së Brukselit ndaj Serbisë, duke e shpërblyer, edhe pse nuk e ka harmonizuar politikën e jashtme me BE’në.
“Mesazhi që po marrim ne në Kosovë është se sa më shumë që pozicionohesh me Rusinë, sa më shumë që pozicionohesh me Iranin, me Kinën, aq më shumë progres bën, hapë më shumë kllastere dhe mbyll kapituj. E nëse në anën tjetër je i harmonizuar 100 përqind me BE’në, siç është Kosova, s’ka progres për ju. Ky është mesazhi që populli i Kosovës po e merr dhe kjo s’ka të bëjë asgjë me procesin e bazuar në merita” ka thënë Osmani para gazetarëve të mediave të huaja në Bruksel.
E pyetur nga ata se “çka po ju thonë zyrtarët evropianë” për këto vërejtje, Osmani tha se s’ka përgjigje nga ata.
“Ne nuk po marrim përgjigje për këtë pyetje konstante që po e bëjmë dhe ne nuk duam të diskutojmë për çështjet e brendshme në Serbi, sepse është çështje e tyre. Por, natyrisht flasim për aktet konstante të agresionit që Serbia i ka bërë ndaj Republikës së Kosovës, që është krejtësisht në kundërshtim me parimet e së drejtës ndërkombëtare, destablizimi i fqinjëve pra është kundër principit për fqinjësi të mirë që kërkohet nga BE” ka thënë Osmani.
“Muajin e kaluar ne patëm një sulm në infrastrukturën tonë kritike nga bandat e Serbisë që kishte qëllim 70 përqind të popullit të Kosovës t’i lë pa ujë, pa rrymë dhe pa ngrohje në mes të dimrit. Natyrisht që kjo të kujton sulmet ruse në Ukrainë në mes të dimrit. Dhe kur kjo po ndodhë, dhe derisa Serbia, sipas konkluzioneve të Këshillit nuk ka dhënë llogari për sulmet e vitit të kaluar ndaj Kosovës dhe NATO’s, ata po shpërblehen” ka theksuar Osmani.
Ajo ka shtuar se politika e bazuar në merita duhet të zbatohet ndaj secilit në rajon.
“Dhe natyrisht kushdo që bënë hapa të bazuar në merita duhet të ec përpara, duke mos i lënë anash ato që po bëjmë në sundim të ligjit, në demokraci dhe të gjitha reformat tjera që po bëhen në Kosovë, ndërsa në vende si Serbia ajo që bëjnë ata është sulmojnë fqinjët dhe pastaj vijnë në BE dhe flasin për integrime evropiane”, ka thënë Osmani