Osmani flet për Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, nuk e përmend raportin negativ për lirinë e mediave
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se “Liria e shtypit është e drejtë themelore e njeriut, thelbësore për demokracinë dhe të vërtetën”.
Ajo e përmendi të drejtën e gazetarëve për të raportuar pa frikë e pa censurë, po ashtu edhe rolin e rëndësishëm të tyre pas sulmit në Banjskë. Por, presidentja e Kosovës nuk e përmendi raportin negativ të Reporterëve pa Kufij, të cilët e renditën Kosovën 19 pozita më poshtë.
Në këtë raport që nuk e përmendi presidentja thuhet se gazetarët vazhdojnë të jenë objektiva të sulmeve politike. Po ashtu, aty përmendet rasti i tentim mbylljes së Klan Kosovës dhe ndikimin e Qeverisë në pavarësinë e mediumit publik RTK-së.
Sipas gjetjeve të raportit në Kosovë, edhe pse sulmet hetohen nga policia dhe prokuroria, rrallëherë rezultojnë në ndjekje penale.
Ndërkohë, presidentja e Kosovës foli për efektin negativ të lajmeve të rreme.
“Në një periudhë të mbingarkesës me informacione dhe kur po kërcënohen paqja e stabiliteti në botë dhe në rajonin tonë, beteja kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave nuk ka qenë kurrë më urgjente. Lajmet e rreme minojnë demokracinë e paqen e në raste të caktuara edhe sigurinë e qytetarëve dhe sigurinë nacionale, ndaj nevoja për t’iu kundërvënë atyre është më e madhe se kurrë dhe në funksion të mbrojtjes së të vërtetës. Këtë betejë duhet ta bëjmë bashkë, institucionet, gazetarët dhe shoqëria civile, ngase vetëm bashkërisht mund ta mirëmbajmë një ambient ku e vërteta mbizotëron ndaj lajmeve të rreme dhe ku media është e lirë ta përmbushë rolin e saj si mbrojtëse e demokracisë dhe e të drejtës së qytetarëve për të qenë të mirinformuar”, tha ajo.