Osmani fal të dënuarën që lindi foshnjën në burgun e Lipjanit

Osmani fal të dënuarën që lindi foshnjën në burgun e Lipjanit

Zyra e presidentes, Vjosa Osmani, njofton se bazuar në kompetencat kushtetuese dhe ligjore, presidentja ka nënshkruar sonte dekretin me të cilin të dënuarës Arza Cakolli, për shkaqe humanitare, i është falur pjesa e mbetur e dënimit, pas shqyrtimit të propozimit nga Komisioni për Falje dhe në përputhje me procedurat ligjore.

Në njoftim thuhet se “vendimi është marrë për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme, ngase e dënuara ka lindur foshnjën e saj të parë gjatë vuajtjes së dënimit dhe ndodhet në Qendrën Korrektuese për gra në Lipjan, së bashku me foshnjen e saj”.

“Në marrjen e vendimit për falje, janë marrë parasysh edhe faktorë të tjerë, duke përfshirë faktin se e dënuara nuk ka kryer asnjë vepër penale më herët, vepra penale për të cilën është dënuar është për ‘Rrezikim të Trafikut Publik’, pra është kryer aksident pa dashje, ndërkaq është vërtetuar se nuk ka qenë nën ndikim të alkoolit apo substancave të tjera kur ka ndodhur aksidenti. Përveç këtyre, gjithashtu janë marrë parasysh sfidat shëndetësore të nënës dhe foshnjës”, thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit, e dënuara ka filluar mbajtjen e dënimit prej 1 vit e dy muaj burg, në korrik të vitit 2024, ndërkaq do të duhej të lirohej në mënyrë të rregullt nga burgu më 14 shtator të këtij viti.

“Dosja me propozimin e shqyrtuar nga Komisioni si dhe nga ekipi ligjor i Presidentes, ka arritur sot në tavolinën e Presidentes. Prandaj, duke marrë parasysh faktorët humanitarë dhe vlerësimet profesionale të të gjitha institucioneve relevante, Presidentja ka vendosur faljen e pjesës së mbetur të dënimit të saj”, theksohet tutje në kumtesë.

Gjykata Themelore në Ferizaj, e pati dënuar me 18 muaj burgim efektiv, të akuzuarën për rrezikim të trafikut publik, ku si pasojë e këtij aksidenti kishin humbur jetën dy shoqet e saj, E.I dhe E.M. Ajo e pati pranuar fajësinë.

Sipas aktakuzës, e akuzuara A.C., më 24 dhjetor 2017, rreth orës 03:43, në rrugën Ferizaj-Greme, duke drejtuar automjetin e markës “Opel Vectra” nga pakujdesia e në kundërshtim me nenin 53.1 të LSKRR-së, kishte rrezikuar trafikun publik duke humbur kontrollin e lëvizjes kishte dalë nga rruga dhe vetura ishte rrotulluar ku përpos dëmeve materiale lëndime vdekjeprurëse kishin marrë dy bashkudhëtaret E.M dhe E.I.

Shpërndaje në: