Osmani: E zhgënjyer me trajtimin që Kosova po ka nga disa anëtare të BE-së

Osmani: E zhgënjyer me trajtimin që Kosova po ka nga disa anëtare të BE-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka qenë e ashpër ndaj shteteve të BE-së para fillimit të Samitit BE – Ballkani Perëndimor në Bruksel.

Osmani ka thënë se s’mund ta fshehë zhgënjimin se si po trajtohet Kosova nga disa shtete anëtare të BE-së, duke iu referuar mosheqjes së masave ndaj Kosovës.

“Nëse jem e sinqert, jam e zhgënjyer me trajtimin që Kosovës po i bëhet nga disa shtete anëtare të BE-së. Nëse pyetem pse, atëherë qartë arsyeja kryesore është se nuk ka përparim në heqjen e masave ndaj Kosovës. Janë ende në fuqi e siç kemi parë në konkluzat e Këshillit, nuk do të hiqen as në dhjetor. Janë të padrejta e joevropiane. S’ka asgjë evropiane e nuk ka asgjë të bazuar në vlerë, të ndëshkohen njerëzit edhe në projekte si uji i pijshëm. Jam këtu për të falënderuar dy të tretat e shteteve anëtare që përkrahën heqjen e masave e ato tjerat t’i pyesë se çfarë është evropiane të ndëshkosh 1.7 milionë evropianë që jetojnë në Kosovë, në shtetin më pro evropian në botë me 97 për qind që besojnë në rrugën tonë evropiane”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se Kosova ka rreshtuar qind për qind politikën e jashtme të saj me atë të BE-së dhe ka qenë e para në rajon që i ka vendosur sanksione Rusisë.

“E njerëzit tanë mbesin të ndëshkuar, ndonëse ne plotësuam gjitha kushtet që kërkoi BE-ja. Po ashtu kemi mbi dy vjet që kemi aplikuar për anëtarësim, e aplikimi ynë është ende diku në sirtar e nuk është rishikuar”, tha Osmani.

“Nëse shihni reformat që ka ndëmarrë Kosova, sa i përket reformave e vlerave, jemi të parët në rajon madje edhe para disa shteteve anëtare të BE-së. Por, s’po shohim vullnet politik të nevojshëm nga disa shtete anëtare për të na përkrahur në rrugën tonë evropiane”.

Ajo ka thënë se duhet përfshirë në këtë momentum të zgjerimit të BE-së të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, e procesi të jetë i bazuar në merita.

Ajo ka uruar Shqipërinë e Malin e Zi për përparimin e madh në rrugën evropiane, por ka thënë se gjuha pozitive e BE-së ndaj Serbisë po jep mesazh të keq në rajon e  veçanërisht në Kosovë.

“Mesazhi që marrim, veçanërisht njerëzit në Kosovë, është se sa më tepër që rreshtohesh me Rusinë, Iranin e Kinën aq më përparim bën, dhe hap klastere të reja e mbyll kapituj në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Ndërsa nëse je qind për qind e rreshtuar me BE-në, atëherë s’ka përparim. Nuk është ky proces i bazuar në merita”.

Ajo ka përmendur edhe sulmin e fundit në kanalin e Ibër-Lepencit, ndërsa ka thënë se prapa sulmit ishin bandat serbe.

“Agresioni i vazhdueshëm i Serbisë ndaj Kosovës është kundër parimeve të së drejtës ndërkombëtare e kundër vlerave të fqinjësisë së mirë që janë vlera të BE-së. Muajin e kaluar patëm sulm ndaj infrastrukturës kritike në Kosovë nga bandat serbe, që kishin synim të linin 70 për qind të popullit të Kosovës pa ujë, energji dhe nxemje në dimër. Ngjason me sulmet ruse në Ukrainë në mes të dimrit. Derisa ndodh kjo, e Serbia s’ka marrë përgjegjësi për agresionet e vitit të ardhshëm në Kosovë, ajo po shpërblehet dhe po bën përparime të mëdha me hapjen e kapitujve të ri. Politika që është e bazuar në merita duhet të aplikohet për të gjithë rajonin”, tha Osmani.

Ajo ka thënë se Serbia po sulmon fqinjtë, e se në Bruksel vjen e flet për integrim evropian.

“Të ulesh në dy karrige përnjëherë, e të ndihmosh Rusinë në luftën në Ukrainë, nuk i kontribuon paqes e stabilitetit në rajon e përtej. Nuk mund të flasim për paqe e stabilitet në Evropë, pa paqe e stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Shteti që vazhdimisht rrezikon stabilitetin në Ballkanin Perëndimor e rrezikon stabilitetin edhe në kontinentin e Evropës”, tha Osmani.

Ndërkohë shefja e BE-së për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, ka thënë se Ballkani Perëndimor është rajon i rëndësishëm për Evropën dhe se është me rëndësi avancimi i marrëdhënieve BE – Ballkan Perëndimor.

E, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, theksoi se zgjerimi i bllokut është prioritet. Shtoi se zgjerimi “është investimi gjeopolitik më i rëndësishëm për paqe, siguri dhe prosperitet”./koha

Shpërndaje në: