Osmani e Kurti shprehin ngushëllime për vdekjen e ish-presidentit të SHBA-së Jimmy Carter
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti kanë shprehur ngushëllimet e tyre për ndarjen nga jeta të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jimmy Carter.
Osmani, përmes një postimi në rrjetin social “X”, vlerësoi jetën dhe veprën e presidentit Carter, duke e cilësuar atë si një model frymëzues të lidershipit.
“Presidenti Carter i tregoi botës se lidershipi është përkushtim, dhembshuri dhe një besim i palëkundur në njerëzimin. Ai ia kushtoi jetën paqes, barazisë dhe përmirësimit të jetës së të gjithëve. Mendimet tona janë me familjen e tij, teksa bashkohemi me miqtë tanë amerikanë për të nderuar trashëgiminë e tij”, shkroi Osmani.
Ndërkohë, kryeministri Kurti, po ashtu përmes një postimi në “X”, shprehu ngushëllime për familjen e Carter dhe popullin amerikan.
“Në emër të Qeverisë dhe popullit të Republikës së Kosovës, shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjen e presidentit Jimmy Carter dhe popullin amerikan në ditën e ndarjes së tij nga jeta. Një shekull pas fillimeve të tij të thjeshta në një familje punëtore në Plains, Georgia, presidenti Carter lë pas një trashëgimi madhështore në shërbim të të drejtave të njeriut dhe mirëqenies, si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe përtej tyre. U prehtë në paqe”, u shpreh Kurti.