Osmani e Kurti e takojnë veç e veç Sekretarin e Vatikanit, presidentja ia rikujton ftesën që i ka bërë Papës për vizitë në Kosovë
Presidentja Vjosa Osmani është takuar me Kardinalin Parolin, Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë javën e kaluar në New York. Me të u takua personalisht edhe kryeministri Albin Kurti, siç njoftoi zyra e tij të premten.
Presidenca njoftoi se gjatë takimit, Osmani “shprehu përkushtimin e Republikës së Kosovës për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me Selinë e Shenjtë”. Aty, thuhet gjithashtu se “Osmani ka folur edhe ftesën për vizitën e Papës Françesku në Republikën e Kosovës, të cilën e ka diskutuar në takim me Papën vitin e kaluar”.
“Ajo theksoi gjithashtu punën intensive me institucionet e Selisë së Shenjtë për hapjen e Misionit të Veçantë të Kosovës pranë Selisë së Shenjtë, duke e konsideruar këtë si një shembull të përkushtimit të Kosovës për forcimin e mëtejshëm të raporteve midis dy vendeve, si dhe për frymën e harmonisë ndërfetare që vendi ynë e mishëron me shekuj”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Presidentja ka theksuar “edhe rëndësinë e njohjes nga Selia e Shenjtë, si hap të rëndësishëm drejt thellimit të raporteve ndërshtetërore, e cila po ashtu do të kontribuonte drejt paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajonin tonë”.