Orienti dhe Erosi që vjen nga larg
(Nëna ime është dashuria/profeti im është dashuria/Unë jam fëmija i dashurisë/Ati im është dashuria/Zoti im është dashuria/Unë kam ardhur të flas vetëm për Dashurinë…). Rumi, poet pers i shekullit XIII
Luan Rama
Nga Njëmijë e një netët, korpusi i mrekullueshëm i letërsisë gojore dhe të shkruar arabe, Mustafa Gerblleshi, intelektuali i shquar shqiptar, që regjimi diktatorial e persekutoi, përktheu veçse një pjesë të vogël të atyre përrallave, duke mos guxuar të përcillte te lexuesi shqiptar dhe tregimet erotike e historitë e dashurisë të tyre, të cilat padyshim do ta bënin të pamundur botimin e librit në vitin 1986 nga Shtëpia Botuese «Naim Frashëri». Dhe ajo që u bë, u arrit me ngulmin e Ismail Kadaresë, Javer Malos dhe të Myzafer Xhaxhiut, i cili do të shkruante dhe parathënien e këtij libri, duke e konsideruar këtë korpus si një pasuri të mbarë njerëzimit. Por kush e ka lexuar botimin e plotë në gjuhë të huaj do ta kuptojë akoma më shumë madhështinë e kësaj letërsie si dhe kohën e cila i ngjizi ato. Dihet që përrallat dhe e çmonte bukurinë sensuale, jetën në tërë dimensionin e vet fizik e shpirtëror dhe që i thurrte hymn dashurisë njerëzore.
Një dorëshkrim i shekullit XIII, ndoshta më i vjetri dhe më i miri që njihet (nga Siria ose Egjipti) shpalos atë galeri aq të pasur personazhesh me kalifë, emirë, aventurierë, trafikantë e tregtarë, mes të cilëve janë dhe femra si Sheherazadja e të tjera, personazhe me histori të panumurta dashurie, seksi, ku Sheherazadja, për të mposhtur vdekjen, vazhdonte pambarimisht tregimet e saj. Dhe jo rrallë këto tregime kanë skena seksi. Në fakt, tregimet persane të kësaj kohe janë një himn i vërtetë për dashurinë e çifit, apo atë të pamundur.
Ato flasin për shpirtra të dashuruar çmëndurisht dhe që përfundojnë në mënyrë tragjike, dhe ku femra nuk trajtohet si «pronë». Modelet e «erosit oriental» në shekullin e XIX ishte temë e preferuar e letërsisë. Bukuroshet e Orientit ishin modelet e piktorëve si Ingres, Delacroix, Jerôme e qindra artistë të tjerë, deri te “odaliskat” e Picasso-s. Imazhet e haremeve zunë vënd në pikturën perëndimore. Imazhi i «erosit oriental» ishte aq ngacmues, sa dhe mbretëresha franceze Marie Antoinette, gruaja e Luigjit XVI, kishte dëshirë të vishej si sulltaneshë, apo të provonte hamamet turke. Vallë a ishte Islami kaq ortodoks sa ç’duan ta tregojnë sot puritanët e sotëm dhe fondamentalistët të cilët predikojnë nënshtrimin total të gruas, ku asgjë të mos duket nga trupi i saj? Vallë kështu i kishte mësuar Profeti?
Profeti dhe gratë
Profeti i donte gratë, parfumet, të bukurën dhe lutjet. Dihet se kur dikush e pyeti profetin se ç’kishte dashur më shumë në botën njerëzore, ai i ishte përgjigjur: «Gratë, parfumet dhe lutjet». Kjo ishte një devizë e bukur dhe njerëzore e një profeti të vërtetë. «Në origjinë të tij, – thotë antropologu dhe psikanalisti algjerian, specialisti i njohur i botës arabe dhe Islamit, Malek Shebel, – Islami ishte një fe sensuale që i rekomandonte besimtarëve që ta jetonin plotësisht jetën e tyre tokësore».
Ka tekste të Islamit që shpjegojnë se dashuria hyjnore kalon përmes dashurisë fizike. Shebel na kujton se në haremin e tij, profeti kishte 9 gra (disa kronistë thonë 11) dhe se ai kishte kaluar 29 netë rradhazi me gruan e tij kopte të quajtur Maria edhe pse Hafsaja dhe Aishja kishin protestuar për këtë. Kadija ishte gruaja e tij më e nderuar, ndërsa Aishja, më e pëlqyera. Ajo ishte 6 vjeç kur Profeti e kërkoi për grua dhe 11 vjeç kur u bë gruaja e tij. Kronistët e vjetër thonë gjithashtu se Zainab ben Jahk ishte më e bukura dhe më sensualja, aq sa kur ajo xhvishej, profeti drithërohej. Sofia, ishte një çifute e kapur robinë në luftë, ashtu si edhe Raihana, e kapur gjatë një beteje.
Ajo nuk pranoi të bëhej muslimane kështu që qëndroi si konkubine. Dihet që seksi në kuadrin e martesës konsiderohet një e mirë e Zotit, ndryshe nga inçesti, apo masturbimi, të cilat dënohen. Hamamet u ndërtuan pikërisht që burri dhe gruaja të bëhen gati për intimitetin e tyre. Malek Shebel ka kaluar gjithë jetën e tij me librat e vjetër të Islamit, duke deshifruar Kuranin dhe Al Sira-n, librin ku tregohet jeta e Profetit. Ai është i ndërgjegjshëm dhe mëse njëherë ka deklaruar në Perëndim dhe në Orient për shtrëmbërimet e shumta që i janë bërë dhe i bëhen doktrinës islame, veçanërisht nga korentet e sotme radikale. Dhe integristët sot nuk janë të pakët, po të rikujtojmë lëvizjet terroriste jo vetëm të Ben Ladenit dhe ithtarëve të tij, grupeve vahabiste, etj, por dhe të shteteve që kanë si ligj „Sharian“ dhe që lëshojnë fatwa për ata që shpesh kërkojnë të thonë të vërtetën rreth fesë, apo që e kritikojnë atë. Tregohet se kur Profeti u sëmur, ai u kërkoi leje grave të tij që të rrinte në dhomën e Aishes, të cilën e donte shumë.
Në shekujt e parë të Islamit, shkruhet për këngët „ghazali“, pra këngët e dashurisë, për legjendën e famshme të Majmun Lajla, (I çmënduri i Lajlas), që është një paralel i historisë së mëvonshme të Abelard dhe Heloise në Francë (1079-1142), apo më pas e ngjashme me atë të Romeo dhe Zhuljeta. Erosi dhe marrëdhëniet seksuale nuk ishin tabu.
Madje që në fillimet e fesë islame, Profeti u rekomandonte pasuesve dhe besimtarëve të tij se „Nuk duhet të shkonin në shtratin e grave si kafshë, por ti bënin ato për vete, fillimisht përmes shikimit, fjalës së ëmbël dhe përkëdheljeve“. Ç’farë mund të sugjeronin më shumë se kaq seksologët e sotëm? Abu al-Hasan Macaudi, i vdekur në vitin 956, në veprën e tij monumentale Lëndinat e Arta, jepte 13 përkufizime të llojeve të dashurisë, duke e konsideruar dashurinë si „një ndjenjë magjike“. Poetët e Hexhazit kanë lënë plot poema e tregime për dashuritë e beduinëve. Sheiku An-Nafzaui, në librin Kopështi i parfumuar, përshkruan skena seksi, stilesh e ekstaze. Astronomi Ibn-al-Amid i shekullit X, duke iu referuar erosit, shkruante se „sa herë thashë: Ç’mrekulli për mua/ Mrekullia e një dielli që i bën hije diellit“. Në veprat arabe shkruhet për femra që „urrejnë mbulimin me çarçaf dhe që kanë dëshirë të kënaqin burrat“, me një fjalë për prostitutat e atyre kohëve. Madje shkruhet dhe për bordellot e tipit arab, për „gojë që thithin gjinjtë e grave“, apo „që mbajnë seksin e tyre nëpër duar“.
Eruditi i njohur arab Al-Jahiz (780-869) i ka kushtuar një traktat më vete prostitutave dhe „ylberëve“ (meshkujve adoleshentë). Në Traktatin e dashurisë, Ibn Arabi shkruan: „Nga dashuria kemi lindur/ Sipas dashurisë jemi krijuar/ Drejt dashurisë shkojmë/ Dashurisë i jepemei ne/“. Ibn Sina, i quajtur nga evropianët bashkëkohës e të mëvonshëm, Avicenna, (980-1037), në traktatin e tij të famshëm mbi mjeksinë, e shihte kënaqësinë seksuale si një mjet shërues për sëmundjet fizike apo psikike. Bota arabe ruan nga historia e vjetër një sërë teologësh të dashurisë si Al-Dajlani, Ibn Arabi, Al-Ghazali, Ibn Hazem, Rumi e më pas Omer Khajami, apo poeti Hafëz, Saadi, e shumë të tjerë. Sidoqoftë, si „kohë e artë“ e erotizmit ne botën muslimane mbahet shekulli i IX si dhe shekujt XV dhe XVI, kohë kur bota muslimane ishte mjaft tolerante, çka solli një zhvillim të madh të shkencës, arteve, përkthimin e tradicionit greko-romak, por dhe një pozicion social të gruas, madje lirinë në përgjithësi. Pothuaj gjithçka ishte e lejuar: jeta e konkubineve, skllavet e haremeve, mbrëmjet sensuale midis pijeve ekzotike dhe parfumeve. Sufistët pohonin se „Orgazma që ata njihnin në tokë ishte veçse preludi i asaj që do të njihnin gjithnjë në botën e përtejme pas vdekjes“. Pra erotizmi islam nuk ishte një antinomi por një praktikë jetësore e qenies njerëzore, siç dhe shkruhej në tekstet e para të islamit si fe, ku nuk duhej të ndahej detyra fetare nga ajo seksuale ndaj gruas. Sociologu arab Abdelssmad Dialmy e dëshmon diskursin seksual në tekstet islamike, duke pohuar se „erotizmi është aty që në fillimet e Islamit“.
Dëshira sensuale cilësohej me fjalën ‚ichq“, ndërkohë që në Turqi, ajo ka hyrë me emrin „ashik“, pra „dashnor“. Haremet u kthyen në një lloj institucioni në jetën islame. Nuk janë të pakta tregimet e historitë seksuale të sulltanëve, historia e Roxelane-s sllave që u bë sulltaneshë dhe që kaloi nga koridoret e haremit në Topkapi të Stambollit. Fjala „harem“ duket se vjen nga fjala e vjetër arabe „harim“, („vatër“). Në shekullin e XVIII, Sidi Muhamet në Marok kishte një harem me 60 gra, ndërkohë që haremet e Topkapisë kishin me qindra, të cilat jetonin në pallat, në koridore që kishin 400 dhoma më vete, ku banonin femrat e sulltanit dhe krah tyre eunukët e tredhur. Kujtimet e Lejla Hanëmit (Kujtime), të botuara në vitin 1921 dhe të përkthyera nga biri i saj, i cili i bëri të njohura në Perëndim, tregojnë me hollësi jetën e haremeve dhe botën sensuale të Orientit, botë e cila është tepër e rafinuar, ekzotike, por shpesh dhe dramatike për jetën, si pasojê e rivaliteteve dhe luftës mes tyre. Gjatë kohës së perandorisë Osmane, haremet kanë ekzistuar edhe në Shqipëri, në oborret dhe pallatet e pashallarëve shqiptarë. Më shumë është përmenduar haremi i Ali Pashës në Janinë, me robinat e tij greke, armene apo çirkaziene. Por se çfarë ka ndodhur konkretisht midis Aliut dhe robinave të tij, cilat ishin preferencat e tij, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të imagjinojmë, pasi udhëtarët e huaj që shkelën në oborrin e tij, veçse i kanë përshkruar përciptas, pa mundur të tregojnë se cilat ishin ato dhe çfarë ishte jeta e tyre në haremin e pashait. Kur koka e pashait u pre dhe mori udhën drejt Stambollit, thuhet se robinat e tij u shitën si plaçkë tregu në brigjet e Bosforit…/Gazeta shqip