Orientalizmi/ballkanizmi

Orientalizmi/ballkanizmi

Ballkanizmi në vend të orientalizmit?

Në hyrje të librit Ballkani imagjinar autorja, Maria Todorova, ngre pyetjen nëse ballkanizmi është i njëjtë me orientalizmin. Ballkanizmi, sikurse orientalizmi ka të bëjë me “tjetërsinë” e një rajoni të botës, në këtë rast Ballkani, në raport me Evropën ose Perëndimin.

Todorova nuk pranon që ballkanizmi të quhet si nëngjini e orientalizmit, edhe pse ky i fundit është përdorur edhe brenda gjeografisë së Evropës për të shënuar pjesën lindore të kontinentit si një zonë tranzitore midis Evropës së mirëfilltë dhe Azisë. Sipas Todorovës, ballkanizmi është një ligjërim i ngjashëm me orientalizmin, por nuk mund të identifikohet me të, sepse, së pari, ballkanizmi është më konkret se sa orientalizmi për sa i përket objektit të tij. Saidi thotë se Orienti është pikësëpari i përbërë nga përfytyrime perëndimore që jo domosdo përkojnë me një Orient real. Për këtë arsye, koncepti i “Orientit”, ka shenjuar një hapësirë të gjerë gjeografike, asnjëherë të përcaktuar qartë dhe pjesërisht imagjinare. Ndërsa “Orienti” ka qenë elastik e relativ sipas përdorimeve të shumëllojshme, ideja e Ballkanit ka qenë më e kufizuar në kohë dhe i ka korresponduar një gjeografie më të ngushtë e konkrete: në fillim një mal e, duke filluar me shek. XIX, një gadishull. Përdorimi metaforik i “Ballkanit” dhe formimi i ligjërimit të ballkanizmit lidhen sidomos me periudhën e fundit osmane dhe me lindjen e shteteve kombëtare ballkanike në shek. XIX-XX. Ballkanizmi përbëhet nga kontrastet që Perëndimi ka krijuar midis imazheve pozitive të vetes përballë një rajoni të Evropës që merret si simbol i agresivitetit, intolerancës, gjysmë-zhvillimit, gjysmë-orientales.

Një arsye tjetër për ta parë ballkanizmin si të ndarë prej orientalizmit është se Orienti me pasuritë e veta marramendëse ka shërbyer si një arratisje imagjinare e ekzotike për romantikët perëndimorë prej qytetërimit industrial, diçka që nuk mund ta ofronte Ballkani i varfër, i vrazhdë e prozaik. Nëse Ballkani disa romantikëve u është dukur i mistershëm e ekzotik, kjo nuk ka ndodhur për shkak të vetive të tij të brendshme, por nga “drita e pasqyruar e Orientit” (po aty: 33). Ballkani është përfytyruar si një zonë transit midis Perëndimit dhe Lindjes: ndërsa këto janë perceptuar si të plota në vetvete edhe pse kundërvënëse, Ballkani është shfaqur si një urë apo udhëkryq midis tyre, gjithsesi duke qenë brenda kufirit të “Evropës”. Gjithashtu, Ballkani ka përfaqësuar një gjendje të ndërmjetme midis etapave të zhvillimit, duke u etiketuar si gjysmë i zhvilluar, gjysmë i qytetëruar, gjysmë-kolonial, gjysmë-oriental. Orienti i Saidit në një masë të madhe ka të bëjë me islamin, kurse Ballkani ka qenë i populluar nga një shumicë e krishterë, ndonëse një krishterim i ndryshëm nga ai katolik e protestant i Perëndimit. Në aspektin racor, orientalizmi ka të bëjë me dallimet midis tipave të njerëzve, kurse ballkanizmi ka të bëjë me dallimet brenda një tipi njeriu (i bardhë/kaukazian/evropian). Një tjetër dallim midis dy ligjërimeve është mungesa e një tradite akademike të ballkanizmit të barazvlefshme me atë të orientalizmit. Ballkanizmi ka qarkulluar përmes udhëpërshkrimeve, letërsisë e gazetarisë.

Todorova është e mendimit se një qasje paskoloniale për Ballkanin, siç është kritika e orientalizmit e ndërmarrë nga Saidi, nuk ka se si të ndërtohet në mungesë të një kolonializmi formal në Ballkan. Dy perandoritë tradicionale që kanë dominuar në shekujt e fundit në gadishull, ajo osmane dhe ajo habsburgase, nuk ishin perandori koloniale. Së pari, atyre u mungonte ndarja midis metropolit dhe territoreve të varura prej tij. Së dyti, ato nuk kanë pasur një qendër kolonizuese, por kanë qenë një “tërësi organike” në të gjithë territorin e tyre. Së treti, atyre u ka munguar kompleksi i përmirësimit, apo i “misionit qytetërues” që ishte karakteristikë për perandoritë britanike dhe franceze në shek. XIX-XX. Së fundi, nuk ka në Ballkan ndonjë hegjemoni kulturore paskoloniale, si ajo e gjuhës angleze në Indi apo e frëngjishtes në disa shtete afrikane.

Orientalizëm dhe ballkanizëm

Në dallim prej Todorovës, të tjerë studiues janë të prirë që ta shohim ballkanizmin si një variacion i temës më të përgjithshme të orientalizmit. Milica Bakiç-Hejdën [Milica Bakić-Hayden] ka përdorur konceptin e “orientalizmit përshkallëzues” (përshtatje e nesting orientalisms në origjinal), sipas të cilit dikotomia fillestare Perëndim/Lindje ripërdoret në zonat që ndodhen në një pozitë të ndërmjetme, gjatë orvatjes për ta përfshirë veten në rrethin e qytetërimit evropian dhe njëkohësisht për ta përjashtuar rajonin apo vendin fqinj nga Evropa. Në hierarkinë e krijuar prej orientalizmit përshkallëzues, Azia është më “lindore” se sa Evropa Lindore; brenda Evropës Lindore, Ballkani mbahet si më “lindor” dhe brenda Ballkanit ka hierarki të ngjashme: sllovenët e shohin veten si më evropianë se kroatët, këta të fundit i shohin serbët ortodoksë si “lindorë”, serbët nga ana e tyre i quajnë boshnjakët dhe shqiptarët si “orientalë”, këta të fundit “lindorin” e tyre e ndërtojnë me anë të stereotipave për popujt jashtë Evropës. Gjithsesi, edhe  Bakiç-Hejdëni pranon se lidhja e orientalizmit me kolonializmin nuk qëndron për Ballkanin, ndryshe nga marrëdhënia që Saidi pretendon se orientalizmi ka pasur me dëshirën perëndimore për “Orientin” dhe sundimin kolonial evropian në Lindjen e Mesme dhe Indi (Bakić-Hayden, 1995).

Vesna Golldsuorthi [Vesna Goldsworthy] në librin Inventing Ruritania (Shpikja e Ruritanisë) sjell argumentin se mungesa e kolonializmit politik në Ballkan nuk e ka lënë atë të paprekur nga një lloj tjetër i kolonizimit, ai i “imperializmit të imagjinatës” të kombeve të fuqishme të Perëndimit. Kolonizimi nuk ka të bëjë vetëm me pushtimin e territorit dhe shfrytëzimin e burimeve, sepse ai është edhe një sistem i pushtetit simbolik, i cili i klasifikon  në hierarki popujt e vendet sipas karakterit dhe tipareve të tyre të supozuara. Imperializmi i imagjinatës vepron thuajse si imperializmi territorial, edhe në mungesë të këtij të fundit. Golldsuorthi në studimin e saj tregon se si Ballkani është njohur nga britanikët përmes udhëpërshkrimeve dhe letërsisë. Në kujtesën kolektive britanike Ballkani përfaqësohet nga poemat e  Bajronit, personazhi i Drakulës i Brem Stokërit [Bram Stoker], tregimet me aventura të Graham Grinit, komeditë e Xhorxh Bernard Shout, romanet e verdhë të Agata Kristit etj. Fakti që Ballkani në letërsinë britanike është përshkruar si rajon i mistershëm e plot dhunë në kufijtë e Evropës shpjegon pse autorja e serisë së romaneve fantastikë Harry Potter ka zgjedhur pyjet e Shqipërisë si strehimin e fshehtë të krye-personazhit të keq Valdemort, sikurse një shekull më parë Stokëri përzgjidhte Transilvaninë si atdheun e Kontit Drakula. Diçka të ngjashme mund të thuhet edhe për shtete të tjera të Evropës Perëndimore. Në Gjermaninë e shek. XIX një rol jo të pakët për përfytyrimin e Shqipërisë dhe të Ballkanit kanë luajtur librat me aventura të Karl Majit [Karl May]. Po kështu një nga aventurat e personazhit të njohur vizatimor Tintin, të krijuar në fundin e viteve 30 të shekullit të kaluar nga karikaturisti belg Zhorzh Remi [Georges Remi], ndërmerret në vendin imagjinar të Ballkanit të quajtur Sildania. Prania koloniale e shteteve perëndimore në Orient ishte ajo që e bënte orientalizmin jo thjesht imagjinatë por një ligjërim të lidhur ngushtë me aparate të sundimit kolonial. Ndërsa në analizën e Golldsuorthit është pikërisht mungesa e një lidhjeje të tillë që e bën të mundur orientalizmin letrar britanik ndaj Ballkanit. Duket sikur zbatimi i kritikës së orientalizmit për analizën e përfytyrimeve perëndimore për Ballkanin është i mundur vetëm nëse përkufizimin e Saidit për orientalizmin e “lehtësojmë” nga barra e materialitetit që ai ka përftuar nga sistemet e dominimit kolonial mbi Orientin.

Imperializmi dhe kolonializmi në Ballkan

Mirëpo Todorova e Golldsuorthi mund të kritikohen për nënvlerësimin e imperializmit real perëndimor në Ballkan. Mungesa e kolonializmit formal në Ballkan në shek. XIX, nuk e përjashton gjykimin se Perandoria Osmane dhe shtetet ballkanike ishin në një varësi gjysmë-koloniale në raport me fuqitë evropiane të kohës. Rënia e pandalshme e Perandorisë Osmane në shek. XIX rriti rivalitetin midis Austro-Hungarisë dhe Rusisë për t’i zënë vendin në territoret ballkanike dhe kjo solli edhe përfshirjen e fuqive të tjera, sidomos të Britanisë së Madhe që nuk e dëshironte një dalje të Rusisë në Mesdhe. Kontrolli që fuqitë evropiane kanë ushtruar mbi shtetet ballkanike ka qenë i tërthortë, përmes depërtimit ekonomik, huave e aleancave, por kjo nuk do të thotë se ka qenë më pak vendimtar për fatet e tyre. Mjafton të vërejmë se kufijtë e shteteve ballkanike janë përcaktuar në konferenca të fuqive evropiane, njëlloj siç janë përcaktuar edhe kufijtë e kolonive të tyre. Një nga efektet e ballkanizmit ka qenë pikërisht maskimi i ndërhyrjeve të fuqive evropiane në Ballkan dhe fajësimi vetëm i “vendasve” për konfliktet e dhunshme, thërrmimin politik dhe varfërinë. Nëse e pranojmë argumentin mbi gjysmë-kolonializimin e Ballkanit, atëherë ligjërimi i ballkanizmit duhet analizuar duke pasur parasysh varësinë e rajonit nga qendrat e pushteteve ekonomike, politike e kulturore të Perëndimit.

Hulumtime të tjera kanë theksuar ekzistencën e kolonializmit në Ballkan, diçka që sigurisht e afron ballkanizmin me orientalizmin. Argumentet për këtë janë dy dhe ndërthuren me njëri-tjetrin. I pari është ai i imitimit, sipas të cilit elitat politike dhe kulturore të perandorive tradicionale – osmane dhe habsburgase – në kuadër të modernizimit huazuan nga perandoritë koloniale këndvështrimin kolonial të qendrës ndaj periferisë dhe e përdorën për të legjitimuar pushtetin perandorak dhe për të justifikuar politika të caktuara. Bëhet fjalë kryesisht atë që në kontekstin kolonial quhej “misioni qytetërues” i metropolit evropian ndaj popujve joevropianë. Argumenti i dytë është se ka pasur zbatime të sistemit kolonial në Ballkan, dhe se ato legjitimoheshin përmes orientalizmit e ballkanizmit. Argumenti i imitimit simbolik të kolonializmit në mungesë të sistemit kolonial është ngritur për periudhën e fundit të Perandorisë Osmane. Elita osmane imitonte simbolikën perëndimore të ushtrimit të pushtetit perandorak, për t’i thënë fuqive evropiane se “ne jemi si ju”, dhe në këtë vazhdë mori përsipër detyrën e “qytetërimit” apo “osmanizimit” të nomadëve kurdë e arabë dhe të fiseve afrikane. Gjeografia e këtij ligjërimi, që e kanë quajtur “kolonializëm osman”, “orientalizëm osman”, apo “orientalizëm alla turca”, filloi të shtrihej edhe në territoret osmane në Ballkan. Në ndonjë rast, justifikimi i “misionit qytetërues” shoqëronte përpjekjet ushtarake për shtypjen e kryengritjeve të popujve ballkanikë, siç lexojmë në një gazetë xhonturke në fillim të shek. XX: “Predhat që dalin prej pushkëve dhe topave mbjellin farën e humanitetit dhe qytetërimit aty ku bien. Në thelb ky është një detyrim i lartë, por i hidhur përballë injorancës shqiptare”. Gjithsesi, ballkanizmi osmano-turk gjatë fundit të perandorisë dhe periudhës së parë të republikës kishte disa fytyra. Ballkani kishte qenë prej shekujsh arena e përplasjeve osmane me fuqitë perëndimore dhe me Rusinë dhe një prej zonave të kontaktit me kulturat dhe idetë evropiane. Në Ballkan u ndërmorën edhe eksperimentet e para të modernizimit të administratës osmane. Për shumë intelektualë osmanë Ballkani përfytyrohej si pjesë e vatanit osman, prandaj dhe humbja përfundimtare në luftën e vitit 1912-1913 u përjetua si një katastrofë prej elitës osmane në Stamboll, një pjesë e mirë e së cilës ishte me origjinë ballkanike. Megjithëse shtetet ballkanike shiheshin si armike dhe vegla të Rusisë e të fuqive perëndimore, disa intelektualë turq admironin nacionalizmin dhe modernizimin e këtyre shteteve dhe i merrnin si shembull për t’u ndjekur edhe në Turqi.

Për sa i përket sistemeve koloniale në Ballkan, të tilla janë ndërtuar nga Austro-Hungaria dhe Italia. Protektorati e më vonë aneksimi i austro-hungarez i Bosnjë-Hercegovinës, është konsideruar si imperializëm kolonial, edhe pse u ndërmor brenda Evropës. Në dallim prej pjesëve të tjera të perandorisë, Bosnja është trajtuar nga administratorët dhe gazetarët austriakë të kohës si koloni e mirëfilltë dhe kjo për shkak të fesë myslimane të një pjese të popullsisë dhe sundimit të mëparshëm osman, që i jepte vendit karakterin gjysmë-oriental në sytë e Vjenës, pavarësisht prej afërsisë gjeografike. Administratorët habsburgas të Bosnjës i vunë vetes detyrën për ta kthyer Bosnjën nga një shoqëri të prapambetur orientale në një shoqëri moderne evropiane, gjithnjë brenda kuadrit kolonial evropian. Ballkanizmi i tyre pleksej me imagjinatën koloniale, siç ndodh te përshkrimi i një ushtari çek të përleshjeve me kryengritësit myslimanë të Bosnjës aty nga fundi i shek. XIX. Në tekstin e tij, klisheja e mizorisë të banditëve të Ballkanit takohet me egërsinë e afrikanëve dhe përdoret si justifikim për vendosjen e administrimit “evropian”: “Ne qëndruam me veshjen e plotë ushtarake kundër armikut të padenjë e kanibal dhe nuk ekzagjeroj kur them se zulutë, bagurut, niam-niamët, beçuanat, hotentotët dhe fise të ngjashme afrikano-jugore janë sjellë më fisnikërisht ndaj udhëtarëve evropianë se sa turqit boshnjakë ndaj nesh. Gjithnjë i kujtoj me llahtar popujt e Ballkanit, ku këmba e evropianit të qytetëruar nuk ka shkelur për dekada të tëra…”. Evropianizimi i Bosnjë-Hercegovinës mbahej edhe si detyrë e kolonëve gjermanisht-folës që planifikoheshin të silleshin në këtë vend dhe që fshatarësisë vendase do t’i shërbenin si model i modernitetit rural. Në këtë mënyrë, Bosnjë-Hercegovina trajtohej nga Vjena sikur të ishte bie një territor ende të pashfrytëzuar në Afrikë apo gjetkë, ku kolonët e bardhë josheshin nga mundësitë e mëdha të fitimit dhe nga imazhet e pionierit (nismëtarit) të qytetërimit në një tokë të egër.

Italia hyri vonë në garën koloniale dhe ia vuri syrin territoreve osmane në Ballkan e Afrikë. Në Ballkan, një rëndësi strategjike për të kishte bregdeti shqiptar dhe kjo nuk mund të mos vërehej nga diplomatët, gazetarët, apo shkencëtarët italianë që e vizitonin. Njëri prej tyre, gazetari Ugo Ojeti [Ugo Ojetti], në vitin 1902 paralajmëronte pushtimin e ardhshëm italian të gjirit të Vlorës: “Kush nuk e ka parë gjirin e Vlorës nuk mund ta kuptojë se vetëm ideja e të qenit qoftë edhe për një ditë të vetme në duart e armikut, bën t’i vërshojë gjaku në kokë e t’i zërë frymën çdo italiani”. Në vitet 30 të shek. XX, Shqipëria u shndërrua në një gjysmë-koloni italiane dhe emisarët e dërguar për përhapjen e ideve fashiste në vend e shihnin detyrën e tyre si një lloj misioni qytetërues: fashistizimi dhe italianizimi i popullit shqiptar do të ishte ishte baraz me “shballkanizimin” e tij. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, “Shqipëria e Madhe” u përfshi në perandorinë koloniale italiane, edhe pse me një status disi më të lartë se sa Libia e Etiopa. Prej këtyre shtjellimeve, rezulton se pjesë të Ballkanit kanë njohur në historinë moderne periudha të sundimit kolonial.

Udhëpërshkrimet

Pavarësisht nëse i përfshijmë në kategorinë e orientalizmit apo në atë të ballkanizmit, një pjesë e mirë e teksteve që kanë qarkulluar në Evropën Perëndimore mbi Ballkanin janë udhëpërshkrime. Udhëtarët perëndimorë në Ballkan i hartonin përshkrimet e tyre duke iu referuar arkivës së temave, përfytyrimeve, metaforave që orientalizmi kishte ndërtuar prej përvojës koloniale. P.sh. lentet kulturore me të cilat udhëtarët britanikë e shihnin Ballkanin ishin tashmë të ngjyrosura nga vetëdija se Britania e Madhe ishte fuqia më e madhe imperialiste në botë. Këtu nuk kishte të bënte aspak fakti nëse një udhëtar i caktuar britanik ishte përkrahës ose jo i imperializmit britanik, nëse ai ose ajo ishte përkrahës apo përçmues i kulturave e popujve ballkanikë që takonte, sepse udhëtarët në procesin e përshkrimit për publikun e tyre të vendeve që kishin vizituar përdornin retorikën e eksploratorëve dhe të administratorëve kolonialë. Për të dhënë një shembull, që lexuesit britanikë që kuptonin dëshirën e madhe që kishte Edith Durhami për të shkelur në Guci dhe që ata ta ndiqnin me emocion nëpër faqet e librit aventurën e saj midis malësorëve shqiptarë, ajo Gucinë e përshkruan si krahinën më të izoluar të Ballkanit dhe të të gjithë Evropës, ku vështirë se kishte kuturisur të shkonte ndonjë udhëtar perëndimor përpara vetë asaj. Duke e quajtur Gucinë “Lhasën e Evropës”, Durhami e krahason veten me eksploratorët e Tibetit të largët dhe u ngjall lexuesve përfytyrimet që ata mund të kenë mbi këtë vend mistik e misterioz të Lindjes së Largët. Gucia e vitit 1908, për të cilën pak britanikë të kohës mund të kishin dëgjuar ndonjëherë, për një çast bëhet surrogat evropian i Lhasës ksenofobe e izolacioniste, ku vetëm në vitin 1904 një ekspeditë e armatosur britanike ia kishte dalë të hynte dhe të impononte një traktat që e kthente Tibetin në një protektorat britanik. Në këtë mënyrë, lexuesve të Durhamit u kërkohet që ta vlerësojnë faktin se autorja, një udhëtare e vetme dhe e paarmatosur në një vend të egër, ia doli ta shohë së  largu Gucinë: “Kishin kaluar pesë vjet që kur për herë të parë kisha provuar ta shihja këtë Tokë të Premtuar dhe tani më duhej të kënaqesha duke e parë atë nga lartësia. Por së paku e kisha parë” (Durham, Shqipëria e Epërme, 2012, f. 144, 158).

Udhëpërshkrimet kanë shërbyer shpeshherë si një surrogat i ekspertizës mbi Ballkanin, meqenëse autorët e tyre e kishin shkelur këtë pjesë të Evropës. Ndryshe nga dija sistematike që institucionet shkencore perëndimore kanë prodhuar për vendet e Orientit, interesi i studiuesve perëndimorë për Ballkanin historikisht ka qenë i kufizuar në periudha krizash, duke e përforcuar edhe më shumë idenë e një zone të paqëndrueshme dhe të rrezikshme. Udhëtarët perëndimorë që në shek. XIX e në fillim të shek. XX përshkruanin vendet e egra, anarkinë, mungesën e ligjeve, arbitraritetin e korrupsionin autoriteteve osmane dhe banorët gjysmë-barbarë, duke përligjur dobitë që këta të fundit do të kishin nga sundimi i ndonjë fuqie të madhe evropiane. Rrallëherë ndodhte që ata të mbanin përgjegjës për gjendjen edhe politikat e shteteve perëndimore që e kishin kthyer Perandorinë Osmane në gjysmë-koloni e që njëkohësisht e mbanin në këmbë sundimin e saj të rrënuar në Ballkan për shkak të rivaliteteve midis tyre dhe frikës prej depërtimit rus. Ngjashëm, disa udhëtarë që përshkuan Ballkanin menjëherë pas rënies së komunizmit, fajësonin vendasit dhe “fantazmat” e së shkuarës për dhunën, varfërinë dhe dëshpërimin dhe e kërkonin zgjidhjen te kthimi i pamundur të kolonializmit. Një udhëtar britanik që vizitoi Shqipërinë në vitin 1996, mësimet që nxjerr prej vëzhgimeve të veta i paraqet të vlefshme për të gjithë botën paskoloniale: “Tani e kuptova se çmimi i vërtetë për dështimin e kolonializmit nuk është paguar nga kolonizatorët, por nga të kolonizuarit, të cilët u braktisën te shtypja shkatërruese e tiranëve vendas pasi kishin provuar shijen e ëmbël të rendit dhe zellit evropian për punë. Tani e gjithë Bota e Tretë ishte pak a shumë si Shqipëria, plot me njerëz të varfëruar dhe të dëshpëruar në vende të rrënuara dhe të falimentuara, dëshira e vetme të cilëve ishte të iknin e të përqafonin skllavërinë e huaj që gjyshërit e tyre ishin përpjekur ta përmbysnin” (Robert Carver, The Accursed Mountains, 1998, f. 133). Përmes shembullit të Shqipërisë (dhe të Ballkanit) udhëtari perëndimor shpreh nostalgjinë për “kohën e artë” të kolonializmit. Ballkanizmi dhe orientalizmi nuk janë përjashtues, por alternues e përforcues të njëri-tjetrit në udhëpërshkrimet perëndimore për Ballkanin.

 

Shpërndaje në: