Organizimi i Festivalit të Këngës në RTK nga Adi Krasta, dy kontrata për organizim u shkojnë kompanive në Shqipëri

Organizimi i Festivalit të Këngës në RTK nga Adi Krasta, dy kontrata për organizim u shkojnë kompanive në Shqipëri

Me marrjen e postit të Zëvendësdrejtorit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Adi Krasta organizoi edicionin e parë të Festivalit të Këngës në RTK. Edicioni i dytë i këtij festivali do të mbahet më 26, 27 dhe 28 tetor. Televizioni publik tashmë ka bërë shumicën e përgatitjeve, por për ta realizuar këtë spektakël është dashur të lidhen të paktën dy kontrata, të cilat kanë shkuar tek kompani nga Shqipëria.

RTK-ja ka nisur përgatitjet për transmetimin e festivalit, duke alokuar fonde për organizimin e tij. Prokurimi i RTK-së ka përzgjedhur kompanitë që do të merren me organizimin artistik dhe teknik të festivalit.

Është vlerësuar se kompanitë vendore në Kosovë nuk kanë mjaftueshëm kapacitete dhe përvojë për të organizuar ngjarje të kësaj madhësie. Për këtë arsye janë lidhur dy kontrata të veçanta me kompani nga Shqipëria. Njëra prej tyre, e lidhur përmes negociatave pa publikim të njoftimit të kontratës, është bërë publike sot.

Bëhet fjalë për kontratën “Realizimi i dizajnit dhe grafikave për Festivalin e Këngës në RTK 2024”, e cila është lidhur me kompaninë AK CREATIVE nga Tirana, me vlerë prej 10,150.00 euro, shkruan Demokracia.com

Bazuar në specifikimet e këtij tenderi, përmbajtja e kontratës përfshin:

  1. Promo x 3: Video promovuese para fillimit të festivalit në tetor (55 sekonda).
  2. Opening: Hapja e festivalit.
  3. Bumper: Njoftim i shkurtër për artistët.
  4. Lower Thirds: Strisha që përdoren për emrat e prezantuesve dhe këngëtarëve.
  5. Transition V1 dhe V2: Ura lidhëse mes skenave dhe artistëve.
  6. Bumper V2: Nominimet e këngëtarëve, ku shfaqet video dhe dëgjohet kënga e performancës në festival në ekran LED me rezolucion 4K dhe 8K.
  7. Tabela e votimit Background: Sfond neutral për tabela votimi, me rezolucion 4K dhe 8K.
  8. Outro: Promo për mbylljen e festivalit.

Ditë më parë, Demokracia.com raportoi se tenderi i titulluar “Shërbime teknike për Festivalin e dytë të Këngës në RTK” është fituar nga një kompani prej Shqipërisë prej nga vjen edhe Adi Krasta, “ASLV ALBANIAN SOUND LIGHTING & VIDEO” me administrator Altin Alizotin. Kjo kompani ishte e vetmja në garë. Vlera e kontratës është 96,840.00 euro.

“Radio Televizioni i Kosovës, në mungesë të pajisjeve teknike të avancuara për realizimin e një eventi të tillë, është detyruar që nëpërmjet procedurave të prokurimit të sigurojë shërbimet e nevojshme teknike për realizimin e Festivalit të Këngës në RTK, duke përfshirë zërimin, ndriçimin dhe LED Wall-in”, thuhet në dosjen e tenderit, përcjell Demokracia.com.

RTK kishte ka hapur konkursin për dorëzimin e këngëve për edicionin e dytë, i cili është shtyrë deri më 7 shtator 2024. Transmetuesi publik i Kosovës synon që vitin e ardhshëm të marrë pjesë si garues në Eurovizion, që do të mbahet në Zvicër. Kërkesa zyrtare për pjesëmarrje tashmë është dorëzuar në Unionin Evropian të Transmetuesve (EBU).

Dorëzimi i kësaj kërkese është bërë pas një serie takimesh të ish-kryetarit të Bordit, Besnik Boletinit dhe ish-drejtorit Shkumbin Ahmetxhekaj, me drejtuesit e EBU-së dhe transmetuesit publik evropian.

Pas dorëheqjes së Shkumbin Ahmetxhekajt më 8 korrik 2024, pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së është ende e hapur. Zëvendësdrejtor i këtij institucioni aktualisht është Adi Krasta, i cili ka marrë drejtimin për të menaxhuar detyrat e përditshme të RTK-së. Krasta është një figurë e njohur për publikun, duke qenë edhe organizator kryesor i Festivalit të Këngës në RTK.

Shpërndaje në: