Orav: Borrelli ka rekomanduar heqjen e masave, pas reformave do t’ju mbështesim me fonde
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell ka rekomanduar heqjen e masave ndaj Kosovës, ndërsa diskutimet po vazhdojnë me anëtarët e Këshillit.
Orav ka theksuar se BE ka marrë një hov të ri për zgjerimin e saj, mirëpo Kosova dhe vendet e Ballkanit Perëndimor kanë punë dhe çështje për të zgjidhur në mes vete.
“Aderimi në BE është një çështje shumë me rëndësi, edhe për BE-në është obligim t’i përgjigjet historisë, sot lufta është kthyer në botë, me luftën e agresionit rus në Ukrainë. Ky hov i ri për zgjerimin është mu tani, kohët e fundit kemi hapur negociatat me Shqipërinë, pas shumë viteve punë”.
“Pasi të adaptoni reformat në përputhje me agjendat e BE-së ne do t’ju mbështesim me fondet, Kosova dhe vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shumë punë për të bërë edhe duke zgjidhur çështjet me njëra tjetrën. BE nga ana tjetër e tregon zotimin ndaj jush edhe përmes asistencës financiare”, u shpreh Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav.
Sa i përket sulmit në Banjskë dhe reagimit policor, ai tha se kjo ka treguar reagimin profesional të Policisë së Kosovës.
Kosova, sipas tij, ka shënuar progres të mirë në funksionimin e një ekonomie funksionale, ndërsa shtoi se Kuvendi është ballafaquar me sfida në çuarjen përpara të ligjeve për të cilat Kosova ka nevojë.
“Pritet edhe përmirësimi në gjyqësor, Kosova ka një nivel më të madh të spastrimit të çështjeve dhe ka grumbulluar numrin e madh të lëndëve në pritje. Në fushën e mjedisit kemi përparim te kufizuar”, tha ai.
Ambasadori i BE-së në Prishtinë tha se Kosova e Serbia duhet të vazhdojnë drejt normalizimit të raporteve ndërmjet njëra tjetrës, ndërsa shtoi se Borrelli ka rekomanduar heqjen e masave dhe diskutimet po vazhdojnë me anëtarët e Këshillit.
“Progresi konstant me kalimin e viteve nënkupton afrimin me Be-në, Kosova duhet të angazhohet në luftimin e korrupsionit dhe forcim të gjyqësorit”, deklaroi Orav.