Opozita proteston në Shqipëri të martën, njofton Berisha
Protesta opozitare e radhës në Shqipëri, do të mbahet me 26 nëntor ose ndryshe të martën që vjen.
Njoftimi u dha nga kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, gjatë konferencës së sotme.
“Me datën 26 është protesta tjetër kombëtare, më e fuqishmja që ka njohur Shqipëria. Ndaj ftoj shqiptarët me datë 26, marshim në Tiranë. E gjithë Shqipëria në Tiranë. Ora do të njoftohet. Nuk ka tërheqje. Mosbindja civile është rruga e vetme e ndarjes nga kjo diktaturë”, tha ai.
Kjo protestë që sipas ish-kryeministrit do të jetë e organizuar në formën e një marshimi do të zhvillohet vetëm një javë pas asaj të mbajtur para Parlamentit më 19 nëntor, ditën kur u votua buxheti për vitin 2025, raporton A2 CNN.