Opozita e gatshme për zgjedhje
Partitë opozitare në Kosovë po kërkojnë zgjedhje të parakohshme. Ditë më parë kryeministri Albin Kurti u bëri ftesë opozitës për takim, në të cilin pranoi vetëm Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Mirëpo, nga të gjitha partitë po kërkohet që Kosova të shkoj në zgjedhje sa më parë pasi, sipas tyre, kjo qeveri i ka bërë vendit dëme të pariparueshme. Mirëpo edhe partitë tjera si Guxo, AKR dhe PSD po konsiderojnë që zgjedhjet janë të domosdoshme dhe se janë të gatshme për garë.
Gramos Agusholli nga Lëvizja Vetëvendosje tregon se si parti janë të gatshëm të shkojnë në zgjedhje kurdo që kryeministri të merret vesh me partitë tjera.
“Sipas asaj çka ka thënë kryeministri Kurti, sepse ai është përcaktuesi i partisë dhe ka të drejtë të flasë në emër të saj, Lëvizja Vetëvendosje gjithmonë është e gatshme për zgjedhje. Kurdo që merren vesh me partitë tjera ne jemi të gatshëm”, theksoi ai.
Por, për shkak të mospajtimeve me kryeministrin Kurti sa i përket miratimit të Kodit Civil, Agusholli thotë se nuk ka vendosur nëse do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme në listë të VV-së, derisa të qartësohen rreth Kodit Civil. “Kjo mbetët të shihet. Njëherë për një herë nuk kam vendosur por do të shihet në bisedat e ardhshme me kryeministrin. Nuk e besoj që votohet Kodi Civil”, tha Agusholli për Front Online.
Haxhi Avdyli nga “Guxo” thotë se në zgjedhjet e ardhshme që pritet të mbahen në Kosovë, kjo parti preferon një koalicion para ose edhe pas zgjedhor me Vetëvendosje, nëse liderët e të dyja palëve merren vesh, në të kundërtën ata janë të gatshëm të kandidojnë edhe vet. Po ashtu, Haxhiu për “Front Online” thekson se partia “Guxo” nuk bashkëpunon në asnjë mënyrë më me LDK-në, pasi sipas tij, kjo e fundit i ka përjashtuar në mënyrë arbitrare në vendimet e caktuara.
“Çdo parti politike duhet ta ketë gatishmërinë për të hyrë në zgjedhje. Ne kemi çka i prezantojmë qytetarit dhe jemi të hapur edhe për të shkuar në zgjedhje në çdo kohë. Ne si parti “Guxo” por edhe si deputetë jemi të përgatitur të shkojmë në zgjedhje në çdo kohë. Rikthimi në LDK nuk ka me ndodhë asesi. Me LDK-në e kemi kryer bashkëpunimin, është mbyllur ajo pjesë sepse e konsiderojmë që ne kemi dhënë shumë arsye për të qëndruar, unë si deputet bashke me presidenten Vjosa Osmani, por LDK-ja e ka zgjedhur një mënyrë tjetër në raport me neve, duke na përjashtuar në mënyrë arbitrare në vendime të caktuara. Prandaj, rikthimi në LDK është i pamundur”, theksoi ai.
Haxhiu konsideron se bashkëpunimi me VV-në ka qenë i frytshëm dhe se partnerë e shohim VV-në, sepse besojnë që bashkë mund t’i shtyjnë disa procese të mëdha në të mirë të Kosovës. “Bashkëpunimi me VV-në ka qenë shumë i frytshëm, jemi të kënaqur me të dhe besoj që bashkëpunimi do të vazhdoj në një mënyrë apo tjetrën por tash a do të jemi bashkë me VV-në apo do të jemi vet mbetët të shihet si do të merren vesh liderët e dy partive Guxo dhe LVV. Nëse ne merremi vesh të kemi një koalicion parazgjedhor atëherë mund të vazhdojmë me këtë bashkëpunim edhe para edhe pas zgjedhor. Në të njëjtën kohë nëse nuk merremi vesh ne jemi të gatshëm të shkojmë edhe vet. Pas zgjedhjeve ne do të shikojmë se si do ta vazhdojmë bashkëpunimin pas zgjedhor. Ne si partnerë e shohim VV-në, këtë nuk e fshehim sepse besojmë që bashkë mund t’i shtyjmë disa projekte siç kemi arrite t’i shtrijmë disa procese të mëdha në të mirë të Kosovës”, tha Haxhiu
Behgjet Pacolli nga AKR-ja thotë se ky subjekt politik është i gatshëm për zgjedhjet e ardhshme që mbahen në Kosovë. Pacolli shprehet i bindur se AKR-ja do të jetë në Kuvendin e Kosovës dhe do të luajë një rol të rëndësishëm në formimin e qeverisë së ardhshme.
“Duke pasur parasysh gjendjen aktuale të qeverisjes në Kosovë, me të vërtetë është koha e duhur për zgjedhje. AKR-ja asnjëherë nuk ka funksionuar në bazë të sondazheve ditore, por shpeshherë ka mbajtur qëndrime jopopullore kur kemi besuar se është vendimtare për të ardhmen e Kosovës, edhe kur votuesit tanë nuk janë dakord. Ne do të paraqesim një program të fuqishëm dhe një ekip të përkushtuar. Një gjë është e sigurt: AKR-ja do të jetë në Kuvendin e Kosovës dhe do të luajë një rol të rëndësishëm në formimin e qeverisë së ardhshme”, tha ai.
Pacolli thotë se Qeveria aktuale nëpërmjet keqmenaxhimit kanë gërryer besimin e publikut, dhe se zgjedhjet e reja do të sjellin një lidership që është më i aftë. “Qeveria nuk ka arritur të adresojë çështje kritike, duke rezultuar në pakënaqësi të gjerë mes qytetarëve. Keq menaxhimi ekonomik, korrupsioni dhe mungesa e transparencës kanë gërryer besimin e publikut. Për të rivendosur stabilitetin dhe besimin, zgjedhjet e reja janë të nevojshme për të sjellë një lidership që është i aftë, transparent dhe me të vërtetë përfaqësues i aspiratave të popullit të Kosovës”, tha ai.
Sipas Pacollit, mandati i Kurtit është shënuar nga një mospërfillje e vazhdueshme për llogaridhënien dhe një dështim për të adresuar çështjet urgjente me të cilat përballet Kosova
“Mandati i Kurtit është shënuar nga një mospërfillje e vazhdueshme për llogaridhënien dhe një dështim për të adresuar çështjet urgjente me të cilat përballet Kosova. Të presësh që ai të marrë papritmas një qëndrim të përgjegjshëm pas më shumë se tre vitesh keqmenaxhimi është joreale. Prandaj, i takon opozitës të krijojë kushtet e nevojshme për zgjedhje dhe të shtyjë për ndryshimin e lidershipit në Kosovë”, tha Pacolli
Partia Social Demokrate është deklaruar lidhur me temën e fundit në Kosovë, mbajtjen e zgjedhjeve.
Nol Nushi nga PSD-ja një prononcim për “Front Online” ka thënë se zgjedhjet e parakohshme të shkaktuara nga pushteti duhet të refuzohen.
“Zgjedhjet e parakohshme të shkaktuara nga pushteti duhet të refuzohen. Vetëm organizimi opozitar mund të arrijë të bëjë ndryshimin. Çka do tjetër veç është riprodhim i katër viteve të fundit”, deklaron Nushi.
Kritika për punën e pozitës ka shprehur Nushi. Ai thotë se mënyra si është sjellë opozita ka qenë plotësisht e kundërta çfarë është dashur të bëjë dhe se Kurti përmes opozitës po kërkon zgjedhje për ti mbuluar dështimet në dialog.
“Çfarë ka bërë opozita ka qenë plotësisht e kundërta. Konstruktiviteti i përçudnuar që ia kanë ofruar Kurtit tash që ai kërkon zgjedhje për të mbuluar dështimet në dialog, organizim shoqëror e së fundmi në anëtarësim në Këshill të Evropës, po i qon drejtë e në vallen e tij. E nga kjo valle, fitues del veç pushteti’’ thekson ai.
Nushi i PSD-së thotë se Kurti ka kapitulluar në dialog dhe ekonomi, dhe se opozita qysh dje do të duhej të kërkonte zgjedhje;
‘’Çfarë i ka munguar Kosovës për gati katër vite qeverisje të Kurtit është një opozitë koherente dhe konsistente karshi një qeverisje jashtëzakonisht të dëmshme e të rrezikshme. Nga një pozitë e tillë politike, opozita do të duhej të shkaktonte zgjedhjet qysh dje. Kurti ka kapitulluar në dialog, ka stagnuar e përkeqësuar ekonominë, arsimin e shëndetësinë. Këto do të ishin arsye të mjaftueshme që të ketë organizim opozitar që ofron alternativë përkundër keqqeverisjes’’ shton ai.
Ai ka deklaruar se PSD do të merr pjesë në zgjedhje.
‘’PSD do të marrë pjesë në zgjedhje’’ deklaron ai.
Nushi për fund thotë se Kurti ka synim të kap çdo institucion dhe të nënshtroj zërin opozitar.
‘’Kurti i është futur një kornize të dialogut nga e cila pashmangshmërisht del Asociacioni. Në anën tjetër, siç e kemi parë me Byronë për Konfiskim të Pasurisë, vetingun në drejtësi, kapjen e KPK-së e sulmet e vazhdueshme ndaj çdo grupi shoqëror që e kritikon, ai synim ka të kap çdo institucion, të shtroj ndikimin në çdo dimension shoqëror e të nënshtroj e intimidoj zërin opozitar’’, tha ai.
Noli deklaron se kritika e PSD-së për pushtetin e Kurtit ka dalë plotësisht e saktë dhe se këtë kritikë synojnë ta sjellin në Kuvendin e Kosovës.
‘’Kritika e analiza e jonë ndaj këtij pushteti ka dalë plotësisht e saktë. Këtë kritikë e këtë zë opozitar synojmë ta sjellim në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e ardhshme. Kuvendit i mungon opozita e vërtetë. PSD është opozita e vërtetë’’ përfundon zyrtari i PSD-së