Operatori që i dështoi MPJ’së për dërgesat diplomatike u pagua me çmim pesë herë e gjysmë më të lartë

Operatori që i dështoi MPJ’së për dërgesat diplomatike u pagua me çmim pesë herë e gjysmë më të lartë

Sot është shpërfaqur një skandal nga ministria që udhëhiqet nga Donika Gërvalla. Ai ka të bëjë me tenderin për dërgesat nga Prishtina në misionet diplomatike dhe konsullore të Kosovës nëpër botë, të cilat po i kryente kompania “A.L DUSHI SH.P.K” (kontraktor i autorizuar i kompanisë multinacionale UPS).

Një dokument që e posedon Gazeta Express, tregon se si kjo kompani kishte fituar tenderin me çmim pesëfish më të lartë se kompania tjetër konkurruese.

Kompania “A.L Dushi Sh.P.K” me seli në Prishtinë kishte aplikuar për këtë tender me ofertën prej 1 mijë e 304 euro. Kjo për shërbimet postare diplomatike.

E  po në këtë dokument tregohet se si kompania tjetër që kishte dërguar aplikim për këtë tender ofronte çmim dukshëm më të favorshëm

Kompania “3P Sh.P.K Ahmet Krasniqi 254”, poashtu me seli në Prishtinë, ofronte çmim 233 euro e 40 centë për kryerjen e këtyre shërbimeve.

E kur ishin paraqitur ankesat e para lidhur me procesin e dhënies së këtij tenderi, ministrja Gërvalla kishte thënë se ishte informuar se çështja lidhur me këtë operator ishte zgjidhur.

“Zakonisht kur ndërron operatori ekonomik, siç e kemi parë edhe në këtë rast, nganjëherë ai fillimi është pak më i ndërlikuar, mirëpo me aq sa jam unë e informuar kjo çështje është zgjidhur tashmë”, kishte deklaruar Gërvalla.

E kësaj kompanie dje i është ndërprerë kontrata. Kjo për shkak se ka dështuar t’i ofrojë shërbimet që i kishte premtuar me kontratë.

Sipas vendimit të MPJ’së që e ka nënshkruar nga Kaltrina Dalipi Ushtruese e Detyrës së Divizionit Prokurimit Publik, e cila ka lidhje familjare me Luan Dalipin, shefin e stafit në kabinetin e Kryeministrit Kurti, “A.L DUSHI SH.P.K” (UPS) ka dështuar.

Për pasojë, aktualisht, 406 pasaporta, 165 letërnjoftime dhe 4 vendime për shtetësi nuk kanë shkuar në destinacion.

“Edhe përkundër vërejtjes së parë, me datë 09.10.2024 në cilësinë e menaxherit të kontratës kam paralajmëruar operatorin për mos respektim të afateve, konkretisht për 12 dërgesat e datës 02.10.2024 të cilat nuk kanë arrit me kohe ashtu siç është e përcaktuar në specifikat e kontratës, andaj u vendos t’i shqiptohet vërejtja e dytë me shkrim me datë 15.10.2024. Me datë 18.10.2024 ora 14:00h është mbajt një takim me OE për dërgesa të cilat ende nuk kanë arrit sipas specifikave të kontratës 24h-48h zona 1. Numri total i dokumenteve që ende nuk kane arrit janë 406 pasaporta, 165 letërnjoftime dhe 4 vendime lirm/fitim shtetësie” thuhet në vendimin për ndërprerjen e kontratës.

Mediat kanë raportuar se këto pasaporta, letërnjoftime dhe vendime për shtetësi kanë humbur.

Shpërndaje në: