Operacion antidrogë në Prishtinë, sekuestrohet sasi e konsiderueshme e drogës dhe armëve
Operacion antidrogë në Prishtinë, konfiskohet sasi e konsiderueshme e drogës dhe armëve
Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka zhvilluar të shtunën një operacion në Prishtinë, gjatë të cilit janë arrestuar tre persona e është konfiskuar sasi e konsiderueshme e drogës e po ashtu edhe e armëve.
Operacioni i pasoi një hetimi disamujor.
Fillimisht në magjistralen Prishtinë – Ferizaj u ndalua vetura Mercedes me vozitës Sh.S., ku të dyshuarit iu gjetën 5.35 gramë kokainë. Më pas në rrugën “Vicanum” u ndalua vetura Audi Q8 e të dyshuarit Xh.S. dhe gjatë kontrollit atij iu gjetën 21 paketime të dyshuar si kokainë me peshë 20.1 gramë.
E në të njëjtin lokacion u ndalua edhe vetura Volvo e të dyshuarit F.S., i cili është shoqëruar në stacion policor si i implikuar në rast.
Po ashtu është realizuar një kontroll në shtëpitë e të dyshuarve. Në njërën shtëpi janë gjetur 219 qese me kokainë, peshë 114.4 gramë. Në veturën Phaeton të të dyshuarit Xh.S. është gjetur një paketim me kokainë me peshë 171.5 gramë. Janë gjetur dy revole me dy karikatorë e nëntë fishekë, një granatë dore e modelit F1 dhe 29 fishekë të kalibrit të ndryshëm. Po ashtu janë gjetur tri vetura të ndryshme të përdorura për fshehje dhe shpërndarje të narkotikëve. Si dhe para të gatshme (7900 euro e 100 dollarë).
Në bastisjen në lokacionin e tretë në fshatin Suhodol të Lipjanit në një garazh në pronë të të dyshuarit Xh.S. është gjetur një veturë Golf 7 që dyshohet se ishte përfshirë në një rast vrasje në tentativë.
“Sipas vlerësimeve fillestare të bëra, vlera e kokainës së konfiskuar, nëse do të shpërndahej në treg, do të arrinte rreth 30 mijë euro”, thuhet në njoftimin e Policisë.