‘Oops!’ Lufta e Tretë Botërore
Andreas citon një tabelë të saktë mbi shpenzimet ushtarake të Moskës. Shpenzime që rezultojnë më të larta se vetëm 50% të atyre të Japonisë paqësore, e cila jeton në një terirtor me dimensione modeste dhe pa burime natyrore.
Sipas grafikut, vendet e NATO-s, të gjithë bashkë, arrijnë pothuaj gjysmën e shpenzimeve ushtarake botërore. Rusia, pra, do të dukej vetëm si një hirushe, pa një mburojë të përshtatshme për të mbrojtur territorin e saj gjigand dhe kënaqur ambiciet e veta.
Megjithatë, kujdes! Një herë e një kohë konsiderohej vendimtar armatimi. Sot nuk është më kështu. Puna e shërbimeve të fshehtë, e manipulimit elektronik, e luftës kibernetike është bërë vendimtare. Hackerat nuk kanë kursyer askënd, duke filluar nga SHBA, dhe tani shqetësojnë Gjermaninë dhe fuqi të tjera të mesme e të mëdha. Rusia, po ta shohësh mirë, në këtë fushë është shumë e përparuar, dhe për shkak të eksperiencës në të kaluarën. Sigurisht, nuk e shqetësojnë kritikat dhe morali për të drejtat e njeriut.
Rreziku është që, në këtë botë të bërë lëmsh, e cila ka harruar historinë dhe nuk praktikon mençurinë praktike, manipulimet mund të bëhen eksponenciale, nëse shumëzohen me një gabim fatal. më ka lënë shumë mbresa një artikull-investigim i revistës “Neë Yorker”, palestër e gazetarisë më të mirë planetare, të cilën ua rekomandoj të gjithëve për tëa lexuar. Ka dalë për Krishtlindje, dhe ndoshta shumëkush nuk e ka vënë re, edhe pse titulli ishte një shuplakë në fytyrë: “Lufta e Tretë Botërore, gabimisht”.
Autori, Eric Schlosser, rrëfen ankthin që u përjetua orën 2.30, natën e 3 qershorit 1980, kur Qendra Kombëtare e Komandës Ushtarake sinjalizoi një alarm makthi: BRSS sapo kishte nisur një sulm bërthamor kundër Shteteve të Bashkuara. Sapo kishte filluar pushtimi rus i Afganistanit dhe marrëdhëniet mes dy superfuqive ishin të tensionuara. Ndoshta po materializohej kriza më e rëndë që prej asaj të raketave kubane, me Kennedyn dhe Hrushovin shumë pranë një konflikti shkatërrimtar dhe katastrofik. Një krizë që u kapërcye në sajë të mençurisë së të dyve.
Telefonata e 3 qershorit 1980 i erdhi Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të presidentit Jimmy Carter, Zbigniev Brzezinski, i cili padyshim ishte duke fjetur. Në anën tjetër të linjës, gjenerali Uilliam Odom e informoi atë se mbi dyqind raketa ishin nisur kundër Shteteve të Bashkuara nga nëndetëset sovjetike. Brzezinski, me ftohtësi, i kërkoi Odomit një verifikim të fundit, para se t’i telefononte Shtëpisë së Bardhë dhe t’i sugjeronte Carterit kundërsulm të menjëhershëm. Me pak fjalë, hakmarrjen e pashmangshme vdekjeprurëse. Për fat të mirë, Odomi menjëherë telefonoi sërish, për të kërkuar falje. Një gabim, një chip i vogël me defekt, që kushtonte vetëm gjysmë dollari, kishte shkaktuar alarm të rremë.
Nuk është i vetmi rast i ngjashëm. Të tjerë kanë ndodhur edhe në kohë të mëvonshme, por të paktën ekzistonte garancia që burra të përgjegjshëm, dhe të shkathët në kuptimin e gabimit të mundshëm, kanë ruajtur nervat e forta, pavarësisht sulmeve verbale paka shumë propagandistike mes dy palëve, si për shembull Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini. A jemi të sigurtë që sot nuk do të mbizotërojë vrulli fatal dhe tragjik? /“Sette” – përktheu www.bota.al/