“Oligarkët po duan ta kapin KPM-në” – Besnik Berisha flet me gjuhën e Kurtit dhe nuk e mohon këtë
Besnik Berisha, kryetari i ri i Komisionit të Pavarur të Mediave, që u zgjodh sot në atë që u pa si kompletim i kapjes së këtij institucioni të pavarur, ka treguar publikisht se e ka përkrahur kryeministrin Albin Kurti gjatë zgjedhjeve të vitit 2021, derisa përdori edhe disa shprehje të ngjajshme me të.
Berisha në Debat Plus, duke folur për statusin e tij të famshëm ku mbron VV-në e sulmon analistët, ka thënë se “nuk është i kapur nga asnjë parti”.
“Jam i sigurt që dikush don me…jam i sigurt që dikujt kjo i ka prishë punë, se ka mendu që po hyn dikush i pavarur. Nuk jam i kapur prej asnjë partie.
Në raport të progresit e ki, kur jemi zgjedhë, unë, Jeton Mehmeti dhe Fatih Basha, përmendet që u zgjodhen për njerëz të pavarur. Me të thën të drejtën, as raportit të Progresit s’i besoj çdo herë. Citati ka qenë në vitin 2021, unë në atë kohë, jam qytetar edhe sot, nuk kam qenë funksionarë publik atë kohë, kam përkrah një ndryshim, se kam konsideru se situate ka qenë shumë e keqe, edhe sot e ndaj atë mendim” – tha ai.
Më pas, pyetja që iu shtrua nga analistët, kishte të bënte me atë se si ai, dhe Luljeta Aliu po fyejnë publikisht njerëzit.
Këtu, Berisha do të përgjigjej me një deklaratë goxha të ngjajshme si kryeministri Albin Kurti.
“Këtu shihet që ka tendencë me kap KPM-në. Disa OJQ, disa oligarkë, disa gazetarë e disa analistë” – ka shtuar Berisha.
Moderatori i ndërhyu, duke thënë se gjuha e tij përshtatet me atë të Kurtit, megjithëse ky refuzoi të përmend emra.
“Nashta ja ka qëllu, tash s’kam faj… Nuk e kam plan me shku ku po don ti, me përmend emra”.
E pranishme, ka qenë edhe anëtarja e Komisionit të Pavarur të Mediave, Luljeta Aliu e cila ka deklaruar se “rregullorja e cakton zgjedhjen e kryetarit”, gjë që nxiti reagimin e analistit Imer Mushkolaj.
Gjatë debatit, Aliu e cila njihet për afërsinë me VV-në, fillimisht tha:
“Rregullorja e cakton qysh bëhet zgjedhja e kryetarit”.
Këtu reagoi Mushkolaj duke thënë se rregulloret janë derivate të ligjit.
“Rregulloret janë derivate të ligjit, mos u përpjek me thënë është akt i brendshëm, i veçantë, është akt nënligjor, mundeni me arsyetu por nuk është ashtu”.
“Ani folë për çështje që si njeh edhe vazhdo” – tha Aliu.
Mushkolaj e pyeti se çfarë është rregulluar me zgjedhjen e kryetarit të ri, derisa Aliu tha se“çfarë po u prishë punë” që u zgjodh kryetari i ri.
“Kurrgjë s’më prish mu punë, a mundem me bë pyetjen çka është kjo çasje spo të kuptoj…S’ma ndalon as s’ma lejon ti mu, nuk je këtu as me ma ndalu as me ma leju mu. Nuk je police, as gjyqytare, je anëtare e KPM-së e dërguar nga VV-ja” – tha Mushkolaj, transmeton Nacionale.